Svarqa: Më akuzojnë ata që ua hoqa tortën e pushtetit nga goja

Komunën që e ka fituar më 2013 thotë se e kishte gjetur me një sërë problemesh të trashëguara dhe borxhe.




Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, që po kalon nëpër një kohë me rivalitet të ashpër me PDK-në, po insiston se ata që po e akuzojnë çdo ditë po bëjnë këtë, sepse kanë humbur pushtetin, përfitimet personale dhe privilegjet, shkruan sot «Koha Ditore».

«Po më akuzojnë ata që në një formë ua kam hequr tortën nga goja. Ofensivat e tyre janë aq dëshpëruese, sa fitohet përshtypja se opozitarëve nuk po u zihet vendi vend, për të ardhur në pushtet, për t’u rikthyer te torta e pushtetit», ka thënë Svarqa në një pjesë të bisedës për «Kohën Ditore».

Kreu ferizajas ka këmbëngulur se nuk është i gatshëm të lirojë karrigen e kryetarit të Komunës, në formën siç po e kërkon opozita e kësaj komune, sepse thotë se ka ardhur në pushtet me vota demokratike dhe pas një gare pa manipulime votash.

«Besimi i qytetarëve fitohet çdo katër vjet. Unë jam i pastër me ligjin dhe opozita duhet t’i pres zgjedhjet lokale të rregullta për t’u sfiduar», ka thënë ai kur është pyetur për deponimin kundër tij të një dokumenti 62 faqesh e PDK-së në MAPL dhe për vlerësimin e shoqërisë civile se Ferizaj po rrëshqet drejt zgjedhjeve të parakohshme.