Surroi thotë se Kushtetuta e ’74-ës hoqi vendimmarrjen e Serbisë, kurse Marrëveshja e Brukselit e ktheu atë

Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi ka bërë një krahasim të Kushtetutës së ’74-ës dhe Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.




Sipas Surroit, Kushtetuta e ’74-ës është evoluim i hollë juridik që nga viti 1966 deri në vitin 1974, transmeton Koha.net.

«Kushtetuta e ’74-ës është evoluim që nga rënia e Rankoviqit, pra që nga viti 1966 deri në vitin 1974. Është një evoluim i hollë juridik brenda kushteve ku vetë Tito dhe Kardeli, i kanë thënë Fadil Hoxhes, Mahmut Bakallit e të tjerëve, që nuk dëshirojmë të ju njohim republikën për arsye të brendshme», ka thënë Surroi në «Rubikon» të KTV-së, duke shtuar se brenda atij evoluimi është bërë përpjekja për ta përjashtuar vendimmarrjen e Serbisë brenda Kosovës, që është argumentuar në Gjykatën Ndërkomëbtare të Drejtësisë.

Këto lëvizje, sipas Surroit, janë bërë në kushte mjaft të vështira ngaqë Serbia ishte e fuqishme brenda Jugosllavisë dhe se para së gjithash ishte një kushtetutë socialiste.

Kurse, në Marrëveshjen e Brukselit që po zhvillohet në liri të plotë, ku nuk ekziston ndërhyrja policore e ushtarake, gjenerata politike e tanishme ia ka premtuar Serbisë rolin brenda territorit të Kosovës.

«Atë që e kanë bërë nga 1945 e deri 1974, ka qenë kjo përpjekje, pastaj prej ’89-’99 përpjekja tjetër për përjashtimin e Serbisë, kjo gjeneratë e ka rikthyer në një formë vendimmarrjen e Serbisë në Kosovë, ose ka pranuar në kundërshtim me Kushtetutën që të rikthehet roli i Serbisë në Kosovë», ka përfunduar Surroi.