Surroi: Nuk jam afruar me Vetëvendosjen…

Vetoi Surroi në Rubikonin e sotëm në KTV ka theksuar se afiniteti i tij për të qenë pjesë e politikës nuk është rritur kohëve të fundit, duke hedhur poshtë spekulimet e portaleve se ai është afruar me Vetëvendosjen.




«Me Albin Kurtin jemi takuar dhe kemi biseduar për libra, për fenomenet shoqërore, ai ka aftësi të thelluar për këtë çështje», ka thënë Surroi, transmeton Koha.net.

Por, sipas tij, lajmi është produkt i portaleve që udhëhiqen nga strukturat kriminale të Hashim Thaçit.

«Gjendemi në një situatë ku fenomeni ‘Facebook’ dhe lajmet e portaleve po derivojnë në ato tradicionale. Po e ndjej se një ditë do të zgjohemi në mëngjes dhe do të japim raport për ata, me të cilët jemi takuar dhe kjo është mendësi totalitare. Lajmi doli në portalet që janë të afërta me Hashim Thaçin dhe strukturën e tij kriminale…»

Surroi ka thënë se është tërhequr nga politika partiake dhe për këtë nuk është pishman, pasi produkt i saj janë katër libra, ku i shpreh qartë zgjidhjet dhe mendimin e tij politik.

«Unë jam tërhequr nga politika partiake dhe produkti im janë 4 libra, në të cilat shpreh mendimin tim. Nuk jam pjesë e strukturave partiake dhe mendimi im politik vazhdon të jetë i përqendruar në zgjidhjet që unë ofroj në këtë formë», ka theksuar Surroi.

«Emri i Autonomisë» është libri i fundit në të cilin publicisti dhe shkrimtari zbulon ndër të tjera joseriozitetin e negociatorëve kosovarë, ku gjatë negociatave më tepër kanë biseduar për ushqimin sesa për hallet e Kosovës.