Surroi: Kosova po e legalizon Asociacionin, ai nuk është fryt i Pakos së Ahtisaarit

«Kosova po e legalizon autonominë e serbëve dhe kjo nuk duhet mohuar, por duhet ballafaquar me këtë», ka thënë sonte në Rubikon, shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.




Derisa ka shpalosur esetë e tij të përmbledhura në librin «Emri i Autonomisë», ai ka folur për rrezikun që mund të ketë vendi në jetësimin e Asociacionit.

Surroi ka mohuar se Asociacioni i Komunave Serbe ka buruar nga Pakoja e Ahtisarit, duke bërë të ditur se atëkohë e kishin ngritur zërin dhe kishin penguar një gjë të tillë, transmeton Koha.net.

«Në negociata ne kemi ngritur zërin dhe kemi penguar dhe bllokuar formësimin e konceptit të asociacionit të tillë, andaj janë quajtur asociacione dhe partneritetet .. ka qenë e qartë edhe aso kohë që po të lejonim krijimin e një asociacioni atëherë do të kishim rrafshin e tretë të pushtetit», thotë Surroi.

«Ata që thonë asociacioni buron nga Pakoja e Ahtisarit, e interpretojnë këtë në formë sipërfaqësore dhe mendjelehtë. Kur është futur asociacioni, është thirrur në Kartën për vetëqeverisje lokale të Këshillit të Evropës, por për fatin e keq negociatorët tanë nuk janë ulur që ta lexojnë kartën sepse ajo ka elasticitet dhe nuk është dokument insistues dhe parimi është implementimi i saj, sipas interpretimit të shtetit».

Ndonëse, sipas tij, ndarja etnike ka ekzistuar që në ditën e parë të çlirimit, ajo çka nuk duhej të ndodhte ishte përligjja e asaj ndarjeje brenda sistemit kushtetues e juridik të Kosovës. Këtë problem, sipas Surroit, e ka sjellë mendjelehtësia e negociatorëve, e cila do ta shndërrojë shtetin në jofunksional.

Surroi thotë se pushtetarët shpenzuan kapitalin institucional paralelisht me shpenzimin e parasë publike për promovimin e vetvetes, por jo edhe për përmirësimin e standardit të shoqërisë.

Nënshkrimet nga marrëveshjet nuk tërhiqen për shkak të obligimeve që ka marrë Kosova, por as bllokimi i kuvendit nuk duhet të ndodhë pafundësisht.

«Në marrëdhëniet normale shtetet marrin përgjegjësi për veprimet e veta. Kosova duhet të marrë përgjegjësi…. Por, implementimi nuk është e thënë të shkojë në mënyrë të njëanshme, ai mund të bëhet me një koncensus shoqëror. Koalicioni nuk mund ta fusë në një deriçkë këtë opozitë, por as partitë në opozitë nuk mund të detyrojnë Mustafën e Thaçin të shkojnë e të thonë kthenani letrat se i kemi rënë pishman. Nuk mund të zmbrapset një proces i tillë ose nuk mund të ecet nëse nuk ekziston një konsensus shoqëror. Ajo që i jep të drejtë opozitës është shpërfillja e pushtetit dhe ajo ka të drejtë të dyshojë në sinqeritetin e koalicionit në pushtet.

Madje, sipas tij, nuk mund të ndahen gjerat në politikë të brendshme dhe të jashtme, pasi pushteti nuk po tregohet serioz.

«Nuk mund të jeni shtet serioz që shkoni të nënshkruani marrëveshje në Bruksel, ndërsa njëri prej njerëzve që është gjykuar me 14 vjet burg mban ders në piceritë e QKUK-së, në vend se të ishte në burg, organizon konsultat e veta të biznesit në QKUK. Nuk mund të shkojnë këto bashkë, ose do të jeni bashkë në të dyja ose nuk mund të jeni bashkë».

Surroi ka folur edhe për mundësinë e rrëzimit të marrëveshjeve nga Kushtetuesja, por që, sipas tij, nuk duhet pritur shumë, pasi ajo nuk mund të interpretojë kompetencat e asociacionit, të cilat ende nuk janë vendosur.

«Ajo çka gjykata mund të tregojë është nëse qeveria mund ta dekretojë asociacionin, e për nga natyra ajo e ka këtë të drejtë ta dekretojë. E po ashtu të na tregojë nëse ekziston nocioni juridik i asociacionit brenda sistemit tonë kushtetues dhe po ai ekziston… Ajo çka nuk mund të vlerësohet nga gjykata është autonomia si e tillë, njëherë e formuar juridikisht, sepse ajo është ende joekzistuese. Dhe gjykata nuk mund të paragjykojë se a do të formohet kjo autonomi apo jo», ka thënë Surroi.