Supremja pritet që mos ta shqyrtojë fare ankesën e prokurorit në rastin e Ramadan Mujës




Gjykata Supreme e Kosovës pritet që të mos e shqyrtojë fare ankesën e prokurorit kundër vendimit të Gjykatës së Apelit në rastin e Ramadan Mujës, raporton KTV.

 

Prokurorja Judit Eva Tatrai ka kërkuar nga Gjykata Supreme ta anulojë vendimin e Apelit, që e ktheu në rigjykim rastin e kryetarit të Prizrenit. Ajo gjithashtu ka propozuar masë tjetër, që është shqyrtimi nga një panel tjetër i Gjykatës së Apelit.

Por, në Supreme i kanë thënë KTV-së se kjo kërkesë nuk është e ligjshme.

“Vlen të sqarohet se prokurori nuk ka të drejtë të bëjë as kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë e as ankesë, në këtë rast, pasi është kthyer në rigjykim”, ka thënë Antigona Uka, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Këtë, mbrojtja e Mujës po e quan skandal tjetër të EULEX-it. Avokati Tomë Gashi thotë se kjo vë në dyshim se prokurorët e EULEX-it kanë njohur për procedurën bazë për këtë.

Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë mbrojtjes në ankesën e saj, duke e prishur vendimin që e kishte dënuar Ramadan Mujën me burgim me kusht, por edhe me mosushtrim të funksioneve publike.

Gjykata Themelore në Prizren është treguar shumë e shpejtë dhe tashmë ka caktuar seancat e para për gjykim, përcjell koha.net. Gjyqtari Vladimir Mikula, që është i njëjtë me herën e parë të gjykimit, ka thirrur seancë për 7 tetor.

Seancë do të ketë edhe në javët në vazhdim të muajit tetor.