Supershqiptari!

Donald Lu është ambasadori i SHBA-së në Shqipëri. Por jo vetëm kaq: ai është gjithashtu edhe gjahtari kryesor i mafias në vendin ballkanik.

Donald Lu.



Një diplomat duhet të heshtë, kur të gjithë presin që ai të flasë me gjuhë të qartë. Ai duhet të thotë haptazi atë që nuk e mendon. Dhe kështu me radhë. Diplomatët e shkollës së vjetër, i njohin këto rregulla bazike. Donald Lu i shpërfill haptazi ato. Kështu ndodhi për shembull para disa javësh. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri mbajti një fjalim para gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai bëri deklarata të forta, aspak diplomatike.

«Qeveria shqiptare duhet t’i shpallë luftë krimit të organizuar», u shpreh me ton të ashpër Lu. Ka ardhur koha të arrestohen «peshqit e mëdhenj». Vendi i tij pritës, është kapur për fyti nga trafikantët e drogës dhe pastruesit e parave. Pastaj diplomati u bë edhe më konkret. Katër klane mafioze kontrollojnë sot Shqipërinë.

Në veçanti Lu përmendi tre mbretër të botës së krimit, të cilët i kishin shpëtuar drejtësisë së paaftë dhe të korruptuar shqiptare: Emiljano Shullazi, Lulëzim Berisha dhe Klement Balili. Çdo shqiptar i njeh emrat e tyre, raportet e medias rreth krimeve të tyre janë të njohura, dhe lidhjet e politikanëve me mafian. E tëra është një spektakël pa pasoja për keqbërësit.

Baronët e drogës fitojnë miliarda

Shqipëria, vendi i vogël në Adriatik, është shndërruar në një nga prodhuesit më të mëdhenj të mariuanës në botë gjatë viteve të fundit. Baronët e drogës fitojnë miliarda. Ata mund t’i përdorin paratë për t’u dhënë ryshfete deputetëve, prokurorëve dhe policëve. Kryeministri socialist, Edi Rama, i zgjedhur për një mandat të dytë qeverisës, premton në mënyrë teatrale se qeveria e tij do të fitojë luftën kundër industrisë së paligjshme të kanabisit.

Për ambasadorin amerikan, këto janë deklarata boshe. Vitin e kaluar, në Shqipëri u ndaluan 1349 persona me akuzën e trafikut të drogës, por vetëm 100 prej tyre u dënuan. S’ka asnjë bos të mafias në mesin e tyre, u shpreh ambasadori Lu në fjalimin e tij para gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Ai e di se akuzat e tij të forta, kanë futur në siklet shumë politikanë në Shqipëri. Por askush nuk ka guxim të kundërshtojë publikisht amerikanin, pasi ai i referohet hapur një të vërtete të pakëndshme. Lu denoncon vilat e shtrenjta të politikanëve, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet jashtë vendit.

Në opinionin publik Donald Lu konsiderohet si supershqiptar, i cili është më i shqetësuar për të ardhmen e vendit, sesa mjeshtrit e frazave të politikës shqiptare. Ai tregon me gisht drejt zyrtarëve të korruptuar, sulmon prokurorin e përgjithshëm, sepse, sipas tij, po saboton reformën gjyqësore, dhe i inkurajon qytetarët t’i vënë para përgjegjësisë qeveritarët e tyre.

Nëse një gjykatës dëshiron t’u mbyllë gojën gazetarëve me një padi, vetëm për shkak se këta të fundit duan të dinë se si ai e ka bërë pasurinë e tij të madhe, ndërhyn xha Lu-ja. «Beteja juaj është beteja jonë», thotë diplomati – dhe gazetarëve u lejohet të vazhdojnë punën e tyre.

Para se Lu të vinte në Tiranë në fund të vitit 2014, ai iu drejtua shqiptarëve me një video-mesazh. Në të njëjtën kohë ai fliste rrjedhshëm shqip, dhe fitoi zemrat e shumë njerëzve. Më në fund dikush që merrte parasysh shqetësimet e tyre seriozisht, më në fund dikush që nuk e lejon veten të miklohet nga komplimentet e politikanëve lokalë.

Kështu mendojnë shumë shqiptarë për Donald Lu, të cilit i pëlqen të jetë i drejtpërdrejtë në mesazhet e tij. Si një fëmijë emigranti, ai i detyrohej shumë babait të tij. Ky i fundit emigroi nga Kina në SHBA, dhe i siguroi familjes së tij, nëpërmjet një pune të madhe, ëndrrën amerikane.

«Atëherë ju jeni të korruptuar!»

Tani ai është duke luftuar për ëndrrën e tij shqiptare: një shtet funksional, që të mund t’i bashkohet një ditë të largët Bashkimit Europian. Ambasadori Lu ka nxitur miratimin në Parlament të një reforme në sistemin gjyqësor përkundër rezistencës së shumicës së politikanëve, dhe tashmë ai duhet të kujdeset që ajo të vihet në zbatim.

Qëllimi i reformës është të shqyrtojë figurën e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve sa i përket integritetit të tyre moral, kualifikimit profesional dhe kontaktet me botën e nëndheshme të krimit. Përpara fillimit të kësaj procedure, disa zyrtarë të sistemit gjyqësor dhanë dorëheqjen.

Sipas një studimi, pasuritë e 81 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qenë shumëfishuar që nga viti 2004. Gjykatës të tillë, kishte parasysh ambasadori amerikan, kur tha në një takim: «Nëse ju mbani një orë në dorë, e cila është më e shtrenjtë se makina ime, ju jeni të korruptuar!» Në aktivitetin e radhës, gjyqtarët kishin hequr aksesorët e luksit. Për zotin Lu, s’ka arsye për t’u çlodhur. Ai e sheh dekriminalizimin e drejtësisë dhe të politikës shqiptare si detyrën e tij më të rëndësishme në Shqipëri.

(Tages Anzeiger)