Sundoj, prandaj ekzistoj

Presidenti maqedonas në një intervistë për një gazetë austriake e shpalosi hapur politikën ditore të partisë së tij dhe filozofinë politike të elitave maqedonase.

Ilustrimi: file404 / shutterstock



Gjorgje Ivanov i nxehu edhe një herë gjakrat në vend. Në një intervistë për gazetën austriake «Wiener Zeitung» para dy ditësh, ai lëshoi ca xhevahire, të cilat i trazuan edhe aktorët më indiferentë. Tre prej tyre janë më interesante dhe meritojnë më shumë vëmendje: Koalicioni ndërmjet partisë së Ahmetit dhe Gruevskit, Platforma e Tiranës, si dhe koncepti maqedonas për integrimin.

Para dy javësh, një gazetar kosovar që të habitë me informatat e tij të thella kur ke parasysh artikulimin e tij copë, zbuloi që gjysmë ore para nënshkrimit të koalicionit ndërmjet partisë së Presidentit dhe Ali Ahmetit kishte ardhur një telefonatë, e cila e kishte përmbysur atë. Deklarata e Gjorge Ivanovit për gazetën vjeneze dallon vetëm për gjysmë ore nga ajo e gazetarit. Ky thotë se telefonata e famshme kishte ardhur një orë para firmosjes së koalicionit.

Realisht, ky ishte edhe opinioni që mbretëronte te publiku shqiptar, jo vetëm në Maqedoni. Por, tani që partia e Nikola Gruevskit dhe e Ivanovit është dekonspiruar si albanofobe dhe po shkrehet hapur në racizëm kundër shqiptarëve, diçka e tillë tingëllon sureale. Madje makabre. Kjo e ka shtyrë partinë e Ahmetit të reagojë nëpërmjet së paku dy përfaqësuesve të saj dhe ta mohojë këtë mundësi kategorikisht, sikur ky të mos kishte qenë kurrë një opsion.

Sikur të mos ishin ato kuvende maratonike të partisë, në të cilat për ditë e net janë diskutuar pesë pikat e famshme, ndër të cilat edhe koalicioni me Gruevskin dhe zgjedhjet e reja. Kjo është e rëndësishme të përmendet për faktin se ka dyshime për një përkrahje latente të partisë së Ahmetit për atë të Gruevskit. Opinionin së fundmi e ka shqetësuar pesimizmi i Ahmetit për krizën, se ai nuk sheh dritë në fund të tunelit. Pas së cilës logjikisht pason fjalia: Zgjedhje të reja. E, ky është ultimatumi i Gruevskit.

Presidenti Ivanov e bën fajtore për krizën politike në Maqedoni atë që ai e quan Platforma e Tiranës. Kjo është arsyeja përse ai refuzon t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë Zoran Zaevit. Dhe, nuk e sheh fare kundërthënien që kjo platformë ekzistonte edhe në atë orë kur ishte arritur marrëveshja për koalicionin VMRO-BDI, para se të binte ajo zilja e mallkuar për të, që e prishi akordin.

Por, kundërthënia është e jashtme, prandaj atë nuk e sheh presidenti Ivanov. Sepse partia e tij ishte e qartë se nuk kishte për ta zbatuar atë, sikur ajo të mos ekzistonte; ashtu sikur nuk kanë bërë asgjë në dobi të shqiptarëve, sikur të mos ekzistonin as shqiptarët. Ligji më problematik i Platformës, ai për avancimin e gjuhës, është diçka që ka ngelur pezull që nga Marrëveshja e Ohrit. Shqiptarët ekzistonin vetëm për muskujt e policisë…

Kur konfrontohet me modelin e Zvicrës, Ivanov bëhet teoricien dhe fundoset në pellgun e konceptit të integrimit të pakicave që i kanë afirmuar elitat maqedonase. Ai e mburr përcaktimin e tyre për integrimin, i cili, sipas tij, për dallim prej disave, nuk e nënkupton asimilimin. Presidenti i Maqedonisë zbulon që pakicat janë avancuar në komunitete dhe s’e sheh këtu atë që e sheh gazetari nga Austria, se shqiptarët janë larg më shumë se komunitetet tjera në vend.

Sipas Ivanovit, Maqedonia është shtet i qytetarëve të Maqedonisë. Kurse maqedonasit janë popull më vete dhe i vetmi etnik. Që domethënë autokton. Sepse, ata këtu e kanë realizuar të drejtën për shtetin e tyre. Pra, shqiptarët nuk mund të jenë shtetformues, sepse nuk janë etnikë dhe nuk janë të tillë sepse ata e kanë një shtet të tyrin, Shqipërinë. Një logjikë e denjë për njerëzit e zënë në faj.

E para, historia sugjeron që shqiptarët janë autoktonë në Maqedoni. E dyta, realiteti të çmendë me shembuj të asimilimit të shqiptarëve. Kujto vetëm faktin e ndryshimit të dhunshëm të emrave në vendbanimet shqiptare në Maqedoni, duke ua montuar atyre sufiksin «ovski», të cilët tani mund t’i kthesh vetëm me njëmijë telashe. Duhet të paguash taksa e ryshfet për ndreqjen e emrit të imponuar!

Një histori e madhe është asimilimi sistematik i shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Dhe, shembulli më paradigmatik për këtë janë shqiptarët e Rekës. Një personalitet nga ky komunitet, i cili e ka ruajtur vetëdijen për identitetin kombëtar shqiptar, është edhe deputet në këtë legjislaturë, ç’është e vërteta në radhët e partisë së Ahmetit, Branko Manojlovski. Rrëfimet e tij për transformimin e identitetit të tyre të ngjethin mishin.

Tjetra, ankesat e shqiptarëve lidhen edhe me diskriminimin në shpërndarjen e resurseve. Ivanov thotë se në Maqedoni njerëzit nuk përjashtohen për shkak të përkatësisë «popullore». Por, ai e di se gazetari austriak nuk do ta pyesë se përse papunësia te shqiptarët është më e lartë se te maqedonasit, kur për këtë nuk e pyesin as shqiptarët. Debati për ndarjen e buxhetit është një ndër pikat më të nxehta në opinion prej kohësh.

Statusi i privilegjuar i maqedonasve mund të përshkruhet me fjalinë legjendare të George Orwellit për dallimet klasore në shoqëritë egalitare: Të gjithë janë të barabartë, disa janë më të barabartë. Por, pozita e uzurpuar superiore e maqedonasve më tepër është produkt i mendësisë së perceptimit të vetes nëpërmjet sundimit. Ajo mund të artikulohet me derivimin e dyshimit kartezian në trajtën: Sundoj, prandaj ekzistoj.