Sulmohet një i ri shqiptar në Mitrovicë të veriut

Sot në Mitrovicë të Veriut ka ndodhur një sulm fizik ndaj një të riu shqiptar nga disa të rinj të nacionalitetit serb.




Zv/komandanti i Stacionit Policor në Veri, Besim Hoti, në prononcim për Koha.net, e ka konfirmuar incidentin dhe ka thënë se i riu shqiptar ka lëndime të lehta nga sulmi që i është bërë nga disa të rinj, që sipas tij, besohet të jenë të nacionalitetit serb.

«Kemi pasë një sulm fizik sot në Mitrovicë të veriut, një i ri shqiptar është sulmuar nga disa persona që besohet të jenë të përkatësisë etnike serbe, por që natyra e lëndimeve është e lehtë», tha Hoti.

Sulmi ka ndodhur jo në afërsi të urës së Ibrit por në brendësi të qytetit, ku i riu ka dashur të shkoj tek dikush në vizitë dhe është sulmuar, transmeton Koha.net.

Sulmuesit nuk janë të njohur për policinë e as për viktimën, por sipas Hotit, policia vetëm se ka inicuar rastin dhe është në hetim e sipër për t’i gjetur sulmuesit.

Ai ka thënë se edhe më parë ka pasur raste të tilla, por që janë përfunduar me sukses duke i gjetur e arrestuar kryesit e sulmeve.