Sulmi në Düsseldorf: Autori shqiptar vuan nga paranojat

Kosovari që të enjten mbrëma në stacionin e trenit të Düsseldorfit lëndoi nëntë veta me një sëpatë nuk ka vepruar për motive terroriste a fetare. Paranojat e tij kanë qenë të njohura.

Pamje të internetit nga vendi i ngjarjes në stacionin e trenit të Düsseldorfit.



Nëntë të lënduarit, që të enjten mbrëma në stacionin e trenit në Düsseldorf ranë pre e një sulmi me sëpatë, janë jashtë rrezikut për jetën. Ndër to është edhe një vajzë 13-vjeçare, e cila është lënduar në krah, dhe një turiste italiane. Kështu e transmeton Neue Zürcher Zeitung deklaratën e policisë dhënë premten pasdite.

Autori i sulmit të tërbuar është një burrë 36 vjeçar nga Kosova, i cili në Gjermani jeton nga viti 2009 dhe ka një leje qëndrimi atje. Deri të premten pasdite autori është konsideruar si i paaftë për t’u hetuar. Nga ana tjetër nuk është krejt i qartë edhe syzheu i tërbimit të tij në stacionin kryesor të trenit, ku ndodhi tragjedia.

Një gjë është e sigurtë: autori kishte pasur një sëpatë në tren. Kur paragjerët kanë filluar të zbresin nga treni, ai i ka sulmuar me sëpatë nga mbrapa në kokë dhe në pjesën e epërme të trupit. Në këtë moment kishte reaguar një pasagjer, duke e shtyrë autorin nga vagoni. Më pas ishte mbyllur dhe bllokuar dera, sipas të gjitha gjasave me iniciativën e pasagjerit apo të mashinistit. Ende nuk është e sigurt ku janë sulmuar të lënduarit, është shprehur policia. Gjithsesi mendohet se intervenimi i qytetarit dhe bllokimi i derës e kanë shmangur më të keqen.

Autori është shkrehur kundër derës së bllokuar. Më pas ai ka shkuar në një kalim nëntokësor dhe është ngjitur lartë në peron. Gjatë kësaj lëvizje ai është shoqëruar nga policia federale dhe udhëtarët. Përmbi shtratin e binarëve ai nget tek një urë hekurudhore në afërsi dhe rrëzohet poshtë. Në pamundësi të lëvizë për shkak të thyerjeve të shumta, aty arrestohet. Ai ka deklaruar se ka synuar që të vritet nga policia. E tëra ka zgjatur vetëm disa minuta.

Një orë pas ngjarjes, vëllai i autorit e ka lajmëruar atë të humbur në policinë e Wuppertalit. Aty ai ka deklaruar se vëllai ndihet i ndjekur dhe para disa ditësh ka blerë një sëpatë. Gjatë një kontrolli të banesës të enjten mbrëma policia ka gjetur një vërtetim mjekësor për shizofreni praranoike dhe barëra përkatëse.

Për pacientët shizofrenë paranoikë janë tipike ndenja e përndjekjes dhe halucionet. Shumë prej tyre ndihen të survejuar, të përndjekur dhe të kërcënuar. Ata janë të bindur se të tjerët dëshirojnë t’i dëmtojnë. Edhe autori i sulmit më 2015 ishte lajmëruar në polici dhe kishte deklaruar se ndihet i kërcënuar. Për ta mbështetur këtë – ose për shkak të sëmundjes – atëbotë i kishte shkaktuar plagë vetes së vetë.

Çështja që po diskutohet tani në Gjermani është ajo se a ka mundur të parandalohej gjakderdhja dhe kush është dashur ta dallonte rrezikshmërinë e autorit të sulmit në stacionin e trenit të Düsseldorfit.

Stacioni kryesor i trenit në Düsseldorf ka qëndruar i bllokuar deri ora 12 e 45 pas mesnate, në mëngjes trafiku ka funksionuar normalisht. Sipas dëshmitarëve, nuk janë parë më gjurmë të gjakut nga sulmi i një dite më parë në ambientet e krimit. Por pasagjerët kanë qenë të heshtur, është ndjerë vetëm zhurma e valixheve që tërhiqen dhe e takeve të këpucëve.

Mendohet se një person tjetër është ndjerë i nxitur nga rasti. Të premten në mëngjes, në veri të Düsseldorfit është sulmuar një 80-vjeçar. Atij i janë gjetur plagë prerjeje dhe goditjeje. Edhe kjo viktimë gjindet jashtë rrezikut për jetën. Por autoritetet janë në kërkim të autorit të sulmit të dytë… ks