Sulmet e 11 Shtatorit na tmerruan të gjithëve, thotë Mustafa




Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një mesazhi ka përkujtuar 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

«Para 14 vjetësh, më 11 shtator 2001, kombi amerikan ishte cak i sulmeve më të tmerrshme terroriste që bota demokratike kishte përjetuar ndonjëherë. Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë, objekte të rëndësishme u shkatërruan dhe bota demokratike u vu para sprovës së madhe të terrorizmit global», ka thënë Mustafa në letrën e tij.

Ai ka thënë se «sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, por nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor».
«14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike, vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist. Në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan», ka thënë Mustafa.

«Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë kombin amerikan!», ka shtuar më pas ai.