Sulltanati Erdoan

Parlamenti turk ka miratuar një reformë të kushtetutës, e cila e varros Republikën e Turqisë të themeluar nga Mustafa Kemal Ataturku. Sundimtar i vetëm në të ardhmen do të jetë Rexhep Taip Erdoani – nëse reformën nuk e hedh poshtë populli turk në referendum.

Rexhep Taip Erdoani. Ilustrimi: Shutterstock



Rexhep Taip Erdoani është nisur për në Madagaskar. Në kuadër të një vizite disaditore në Afrikë kryetari i Turqisë do të qëndrojë edhe në Tanzani dhe Mozambik. Në Ankara ai sapo ka arritur një sukses në betejën e tij për t’i siguruar vetes sa më shumë pushtet. Parlamenti turk, i dominuar nga partia konservatore-islamiste e Erdoanit AKP, ka miratuar gjatë fundjavës një reformë kushtetuese, e cila – këtë duhet thënë qartë – e varros Republikën e Turqisë të themeluar nga Mustafa Kemal Ataturku.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Turqisë, Metin Fejziolu, tregoi një guxim të pashoq kur e analizoi sistemin e ri presidencial të synuar nga Erdoani: «Turqia është qeverisur gati 600 vjet nga ky sistem. Në literaturën tonë e kemi një shprehje për këtë: quhet Sulltanat». Fjalori i Gjuhës Shqipe kështu e shpjegon domethënien e fjalës sulltanat: «Shtet që ka në krye një sulltan». Sulltani, sipas Fjalorit, është «titulli i trashëguar i sundimtarit absolut në Perandorinë Osmane dhe i mbretërve në disa vende të Lindjes së Mesme e në Afrikë, ku fe zyrtare është myslimanizmi; ai që mban këtë titull».

Nëse shikojmë ndryshimet e parapara kushtetuese, atëherë në horizontin nga Anadolli në Bosfor po shfaqet një Sulltanat i ri. Sulltanati i Rexhep Taip Erdoanit. Parlamenti ka vendosur të ndryshojë 18 nene të kushtetutës, për të cilat duhet të japin pëlqimin edhe qytetarët në referendum. Këto janë ndryshimet kryesore: në të ardhmen presidenti do të jetë edhe shef i qeverisë. Posti i kryeministrit nuk do të ekzistojë më. Presidenti e ka dorën e lirë të emërojë ministra pa e dëgjuar parlamentin, të caktojë zëvendësit e tyre, të themelojë ministri sipas dëshirës dhe personalisht të vendosë mbi zgjedhjen e rektorëve të universiteteve. Ministrat nuk mund të shkarkohen me vendim për mosbesim nga ana e parlamentit, kundër tyre mund të zhvillohen vetëm hetime, por për fatin e tyre të mëtutjeshëm vendos sulltani (presidenti). Në të ardhmen presidenti mund të jetë anëtar i një partie, gjë që deri më tani ka qenë e ndaluar. Ai po ashtu mund ta shpërndajë parlamentin në çdo kohë dhe të bllokojë projektligjet me veto.

Në Sulltanatin e ri turk parlamenti nuk do të jetë më shumë se një muze me 600 delegatë që vetëm do të pranojnë urdhrat e Erdoanit. Kushtetuta e re i jep të drejtë presidentit të nxjerrë dekrete, të cilat kanë fuqi ligjore. Sa për sy e faqe është paraparë që çdo katër vite në mbahen zgjedhje parlamentare. Drejtësia do të humb përfundimisht pavarësinë e saj. Erdoani vetë do t’i zgjedh shumicën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë do t’i caktojë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili vendos për emërimin e gjykatësve në mbarë vendin.

Që nga përpjekja për grusht shteti në korrik të vitit të kaluar Rexhep Taip Erdoani është duke qeverisur me dekrete – falë gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ende është në fuqi. Ndryshimet kushtetuese do të legalizojnë dhe legjitimojnë pushtetin që Erdoan e ka rrëmbyer me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kush mund ta ndalë Erdoanin? Kush mund ta pengojë atë të themelojë Sulltanatin e tij? Vendimi gjendet në duart e popullit turk. Në fund të marsit apo në prill në Turqi do të mbahet referendumi për kushtetutën e re. Ajo pjesë e opozitës turke që ka mbetur jashtë burgut duhet të përpiqet të mobilizojë qytetarët kundër fantazive të Erdoanit për pushtet të përhershëm dhe të pakufizueshëm. Ndryshimet kushtetuese rrëzojnë themelet e Turqisë moderne dhe suprimojnë parlamentarizmin, duke i hapur rrugën një diktature. Sipas anketave 70 për qind e qytetarëve nuk e dinë se çka përmbajnë ndryshimet e reja kushtetuese. Në kushte të censurës shtetërore, represionit, shtypjes së mediave, ndjekjes së kritikëve është e dyshimtë nëse para referendumit mund të zhvillohet një garë e barabartë mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të reformës.

Lakenjtë e Erdoanit theksojnë se reforma nuk paraqet asfare rreziku për demokracinë, sepse edhe SHBA-të apo Franca kanë sisteme presidenciale. Kjo është e saktë vetëm në shikim të parë, sepse në këto vende parlamenti dhe gjykatat kujdesen për korrigjimin e vendimeve të gabueshme të presidentit, në Turqi pushteti koncentrohet vetëm në duart e personit në postin e presidentit. Nëse turqit binden dhe e miratojnë kushtetutën e re, atëherë ajo do të hyjë në fuqi hap pas hapi deri në nëntor 2019, kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Që Erdoan do të garojë sërish, kjo është e sigurt si amini në xhami. Nëse fiton zgjedhjet përkatëse, ai teorikisht mund të qëndrojë në postin e presidentit deri në vitin 2034. Atëherë ai do të jetë 80-vjeçar. Me Kushtetutën e re, shkruan gazeta gjermane «Die Zeit», Erdoani dhe partia e tij AKP ka zgjedhur si model Sirinë e Bashar al-Asadit.