«Süddeutsche Zeitung»: Qeveria e Kosovës – me armikun në shtrat

Gazeta gjermane shkruan se në vend të një dinamike të re qeveria e Kosovës, e duruar nga Beogradi, mund të jetë paralajmëruese e bllokadave të reja.




Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare Kosova më në fund ka një qeveri. Për udhëheqjen e re nuk mungon puna në vendin më të ri dhe me gjasë më të korruptuar të Europës, shkruan «Süddeutsche Zeitung» në numrin e së martës. Gazeta gjermane e quan koalicionin mes partive shqiptare të dala nga UÇK me Listën Srpska një manovër që duket paradoksale. Kësisoj me votat e deputetëve serbë zuri kolltukun e kryeministrit Ramush Haradinaj, ndonëse ai nga qeveria e Beogradit kërkohet me fletarrest për shkak të gjoja krimeve të luftës.

Korrespondenti i gazetës nga Vjena shkruan se në fillim të vitit Serbia kishte kërkuar nga Franca të ekstradojë Haradinajt. Ai ishte ndaluar në Francë sipas fletarrestit serb. «Dy herë ai ka qëndruar para gjyqit (të OKB-së) dhe të dyja herët është liruar në mungesë të dëshmive. Dëshmitarë të rëndësishëm vdiqën gjatë procesit», shkruan «Süddeutsche Zeitung».

Kabineti Haradinaj II, sipas gazetës, është fryrë në 21 ministri, jo pak prej drejtuesve të tyre ndiqen nga drejtësia për shkak të akuzave për krime të luftës, korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit.

Përkundër faktit se Haradinaj u përpoq të vë veten në skenë si politikan realist, «Süddeutsche Zeitung» mendon se bisedimet e deritanishme të moderuara nga BE kanë qenë në pjesën më të madhe të pasuksesshme. Në vend të dinamikës së re zhvillimet e fundit në Kosovë mund të jetë paralajmëruese të bllokadave të reja. (dp)