«Süddeutsche Zeitung»: BE po bashkëpunon me politikanë të korruptuar në Kosovë

Vendi është de fakto ende protektorat. Duke pasur parasysh gjithë ato para që janë djegur, a nuk është dashur të shpresohet më shumë përveç se rrethana paksa paqësore në Kosovë?

Ilustrimi: Shutterstock

Në vjeshtën e vitit 2015 gazi lotsjellës ishte argumenti kryesor në parlamentin kosovar. Se si është zhvilluar kultura e debatit që nga atëherë e dëshmon një fjali e presidentit Hashim Thaçi. Vizitorëve nga Gjermania ai më 5 maj u shpjegoi: «Qeveria dhe opozita po bashkëpunojnë mirë», fundja një ditë më herët, sipas Thaçit, deputetët e të gjitha partive qëndruan në sallën e parlamentit, kur foli Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë. Domethënë BE mund të gëzohet që parlamentarët kosovarë, të cilët i duan të gjitha paratë nga Perëndimi, mund të rrinë të qetë në një sallë, kur BE vjen për vizitë.

Që nga lufta kundër Serbisë më 1999 BE e ka subvencionuar Kosovën me pesë deri gjashtë miliardë euro. Me këto para deri më tani është arritur vetëm evitimi – për fat të mirë – i një lufte civile. Për këtë kosovarët me ndikim nuk kanë pasur as kohë, ata kishin mjaft punë për t’i shmangur paratë që jepen si ndihmë. Për çdo rast në Kosovë ende janë të stacionuara njësitë e KFOR-it të NATO-s. Ky vend, që më 2008 e ka shpallur veten të pavarur, de fakto është protektorat.

Duke pasur parasysh gjithë këto para që janë djegur, a nuk është dashur të shpresohet më shumë se sa rrethana deri-diku paqësore? Kosova, ky vend i vogël, ekonomikisht është përmbysur: Çfarë duhet: siguri ligjore dhe kufizim i korrupsionit. Për fat të keq BE e ka sabotuar demokracinë, për të cilën angazhohet vetë në Kosovë.

Michael Roth, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane, para një viti përpiloi një raport. Aty ai thekson se anëtarësimi i parakohshëm i Rumanisë dhe Bullgarisë i ka dhënë një leksion të hidhur BE-së: u pranuan dy shtete pa i plotësuar as për së afërmi standardet e BE-së. Një paralajmërim për të gjithë miqtë e studimeve sociale: anëtarësimi i këtyre vendeve është kurdisur kur firmat e mëdha ndërkombëtare ndiqnin strategjinë «sa më e madhe, aq më e mirë», pa marrë parasysh logjikën e biznesit. Në të njëjtën kohë Komisioni i BE-së anashkaloi logjikën politike. Roth nënvizoi se në rastin e Kosovës BE do të sillet ndryshe: zhvillimi i demokracisë dhe siguria ligjore kanë prioritet, tha ai. Por në praktikë BE përqafon njerëz, të cilët në ekspertizat politike angleze quhen «strongmen» (njerëz të fortë): duke filluar nga presidenti, i cili fajësohet si kriminel lufte dhe për tregti me organe njerëzore, dhe i cili është pasuruar me zell të madh. Ish-ambasadori amerikan Christopher Dell, i cili është pjesë e firmës amerikane Bechtel, thuhet se ka bërë biznese të majme me Thaçin.

Në vitin 2011 SHBA-të ia lanë Kosovën BE-së. Gjermania mori rolin kryesor. Hipokrizia po lulëzon më mirë se ekonomia. Organizatat joqeveritare subvencionohen, por më me dëshirë bisedohet me njerëzit e pushtetshëm. Më 2014 u zhvilluan zgjedhjet. Asnjëra nga dy partitë e korruptuara PDK dhe LDK nuk fitoi. Më parë LDK kishte lidhur aleancë me partinë protestuese: Vetëvendosje ishte zgjedhur para së gjithash nga të rinjtë, të cilëve u kanë ardhur te hunda PDK dhe LDK.

LDK dhe VV kishin një shumicë për të krijuar qeverinë. Por PDK, partia e Thaçit, nuk deshi të hiqte dorë nga pushteti. Dhe qeveria gjermane mendoi se ishte ide e mirë që PDK dhe LDK të lidhin koalicion duke injoruar vullnetin e votuesve. Që nga atëherë pak gjëra ecin ndryshe se më parë. Ndërmarrjet gjermane e kanë vështirë të investojnë në Kosovë. Për firmat kineze dhe turke dhënia e ryshfetit nuk është problem.