Studimi: Dhuna verbale dhe fizike përdoret si mjet edukimi në shkollat shqiptare

Anketimi i nxënësve, mësuesve dhe prindërve, i realizuar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike zbulon se sistemi arsimor shqiptar vuan nga sjellje të shumta jo-etike, në të gjitha nivelet e tij.

Zv. Ministrja e Arsimit Nora Malaj flet në konferencën Etika në Sistemin Arsimor Shqiptar, 13 prill 2017. Foto: Loreta Cuka via BIRN



Një studim me titull «Etika në Sistemin Arsimor në Shqipëri», i publikuar të enjten në Tiranë nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike hodhi dritë mbi gjendjen jo fort të diskutuar të etikës në shkollat e vendit.

Duke e vënë theksin te niveli i lartë i sjelljeve joetike, raporti zbuloi se nga perceptimi i mësuesve, shkollat e mesme shfaqen si më problematiket me një prani 74.1% të këtyre sjelljeve. Në anën tjetër të spektrit, me më pak probleme etike shfaqet sistemi parashkollor me 36%.

Vetë studentët shohin si të degraduar edhe arsimin universitar, ku 83% e të anketuarve raportuan sjellje joetike.

Sipas studimit, i cili anketoi perceptimet e etikës te 3771 nxënës, mësues dhe prindër gjatë periudhës shtator-dhjetor 2016, përgjegjësia për këto sjellje bie mbi të gjithë aktorët në arsim.

Gjetjet e raportit të mbështetur nga fondacioni Mary Ward Loreto treguan se mësuesit, nxënësit dhe prindërit ishin të vetëdijshëm për sjelljet e tyre joetike, por ata ia hidhnin fajin njëri-tjetrit, model ky i nxitur sipas studiuesve nga mungesa e komunikimit mes tre hallkave kryesore të arsimit.

Rezultatet treguan se sjelljet joetike të mësuesve, të raportuara nga nxënësit dhe prindërit – ishin përdorimi i autoritetit si mjet ndëshkimi, komunikimi i papërshtatshëm përmes fjalëve fyese, gjuha sarkastike apo përdorimi i nofkave fyese, si dhe favorizimi i nxënësve në kuadër të preferencave personale.

Duke drejtuar gishtin nga nxënësit, sjelljet e tyre joetike të raportuara nga prindërit dhe mësuesit ishin dhuna verbale dhe fizike ndaj shokëve, përdorimi i substancave të paligjshme në shkolla, kopjimi dhe sjellja e keqe ndaj mësuesve.

Universitetet e shkelin veçanërisht etikën duke përdorur plagjiaturë dhe tekste të papërshtatshme nga stafi akademik, i cili minon parimin e ndershmërisë në arsimin universitar. Raporti ngriti gjithashtu shqetësim për praninë e paragjykimeve ndaj studentëve bazuar te gjinia, gjendja sociale dhe ekonomike apo nevojat e veçanta.

Sa për prindërit, studimi thotë se ata kanë sjellje të papranueshme duke ushtruar presion ndaj mësuesve për favorizim të nxënësve, qortimit në publik të fëmijëve dhe shmangies së takimeve të rregullta dhe bashkëpunimit me mësuesit, duke u pozicionuar si të jashtëm në sistemin arsimor.

Shumica e çështjeve joetike, sipas studimit, zbulohen në mënyrë joformale ndërsa vullneti për t’i trajtuar rastet joetike në nivel institucional mbetet i ulët.

Dhuna në të gjitha format e sa: verbale, emocionale dhe fizike vazhdon të perceptohet dhe të përdoret si mjet edukimi dhe disiplinimi në institucionet e arsimit shqiptar nga ato parashkollore deri te shkollat e mesme.  Dhunë kjo që prindërit e mbështesin drejtpërdrejt ose tërthorazi, për shkak të kulturës shqiptare të pranimit të ndëshkimit.

Nga ana tjetër, raporti thekson se mësuesit nuk kanë instrumente të vazhdueshme për të adresuar dhunën prindërore ndaj fëmijëve.

Raporti u shtri vetëm në sistemin arsimor publik.

Në konkluzion të tij, studiuesit rekomanduan ndërhyrje në shumë nivele të arsimit të lartë për t’i zgjidhur çështjet joetike nga rrënjët. Ata sugjerojnë hapa që variojnë nga ndryshimet e rregullave te edukimi specifik i mësuesve dhe stafit akademik. Në arsimin parauniversitar, rekomandimi kryesor lidhej me trajtimin e pabarazive sociale, paragjykimeve, diskriminimit dhe kulturës së ndëshkimit.

Për arsimin e lartë, përparësi iu dha sfidave të mësipërme dhe trajtimit të plagjiaturës, pandershmërisë dhe cilësisë së testeve akademike.

Duke pranuar sfidat që mundojnë arsimin shqiptar, zv. Ministrja e Arsimit, Nora Malaj e cilësoi arsimin si të drejtë kombëtare, të lidhur ngushtësisht me stilin e mirë të jetesës.

«Ky studim është fillimi i punës për hulumtim të mëtejshëm për rekomandimet që ai ka nxjerrë», tha Malaj, duke shtuar se ministria e Arsimit ka qenë e hapur për të kuptuar problemet.

(https://www.reporter.al/studimi-dhuna-verbale-dhe-fizike-perdoret-si-mjet-edukimi-ne-shkollat-shqiptare/)