Studentët e gazetarisë kërkojnë shtyrjen e afatit për master




Absolventët e Fakultetit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës kanë kërkuar shtyrjen e afatit për pranimin e studentëve në studimet postdiplomike – master për vitin akademik 2015-2016, pasi data e mbrojtjes së temës së diplomës u është caktuar 10 ditë pas përfundimit të afatit për pranimin e studentëve për master.

 

43 studentëve, të cilët kërkesën e tyre e kanë dërguar te rektori i UP-së, u është caktuar data e mbrojtjes së temës së diplomës më 28 shtator 2015, 10 ditë pas përfundimit të afatit për pranimin e studentëve në master dhe u pamundësohet aplikimi për këto studime.

Ata kanë shprehur gatishmëri për të mbrojtur temën e diplomës para datës së mbylljes së afatit për aplikim në studimet postdiplomike – master, ndërsa kanë bërë të ditur se nuk kanë hasur në mirëkuptimin e komisionit vlerësues për të lëvizur datën e mbrojtjes së temës së diplomës.