Studentë të Juridikut vizituan Pallatin e Drejtësisë

Një grup prej rreth 40 studentësh të Fakultetit Juridik nga Universiteti i Prishtinës, të hënën e kanë vizituar Pallatin e Drejtësisë, ku janë pritur nga udhëheqësit e katër institucioneve të akomoduar në këtë lokacion.




Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, u.d. kryetarja e Gjykatës së Apelit, znj. Tomka Berishaj, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, si dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, kanë qenë nikoqirë të studentëve.

Gjatë takimeve me ta studentët u njoftuan me strukturën e gjykatave, me procedurat e gjykimeve, ndryshimet në sistem si pasojë e reformave, për praktikën që mund ta ndjekin si studentë nëpër gjykata, njofton kumtesa nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Studentët drejtuan një varg pyetjesh për krerët e këtyre institucioneve dhe u shprehën të kënaqur nga pritja që u organizua për ta, transmeton Koha.net.

Përveç takimeve me kryetarët e gjykatave përkatëse dhe me atë të prokurorisë, studentët vizituan edhe shkrimoren e Gjykatës Themelore dhe sallat e gjykimit.