Stema është vetëm njëra nga dhuratat gjarpërore

Sot stema, nesër flamuri, pasnesër? «Asociacioni/Bashkësia» e komunave serbe të Kosovës është një bombë e kurdisur. Partitë politike të Kosovës duhet të mobilizohen për të kufizuar dëmin që tashmë është shkaktuar me pranimin e kësaj marrëveshjeje skandaloze. Propagandistët politikë të kësaj kontrate me Serbinë duhet të ndëshkohen së paku politikisht.

Politikanë serbë të Kosovës duke prezantuar stemën e Bashkësisë së komunave serbe në Mitrovicë.



Në pikën 20 të «parimeve të përgjithshme/elementet kryesore» mbi Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë thuhet: «Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë t’i ketë simbolet zyrtare të tij (stemën dhe flamurin), në përputhje me ligjet e Kosovës». Sot partia «Lista Srpska», e cila dirigjohet drejtpërdrejtë nga kabineti i presidentit të Serbisë, organizoi një shou që i përngjante politikës së «fakteve të kryera» të serbëve të Kroacisë në fillim të viteve ’90. Nën drejtimin e udhëheqësve të tyre nacionalistë dhe me mbështetjen aktive të Beogradit, serbët e Kroacisë atëbotë bllokuan rrugët, shpallën «SAO Krajina», prezantuan flamurin dhe stemën e tyre, pak a shumë të ngjashme me atë të «shtetit amë», Serbisë, kufijtë e së cilës ata dëshironin t’i zgjeronin deri në Karlobag, në bregdetin kroat.

Në shoun e sotëm të «Lista Srpska» u prezantua stema e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Mbetet të shihet nëse logoja e Asociacionit është në përputhje me ligjet e Kosovës, siç thuhet në tekstin e marrëveshjes. Por që tani është e qartë se serbët do të insistojnë që kjo stemë të mbetet në fuqi si simbol zyrtar. Shumica e pushtetarëve të Kosovës, të cilët e mbrojnë Bashkësinë e komunave serbe, kanë thënë disa herë se ky trup nuk do të jetë më shumë se një organizatë joqeveritare. Natyrisht që kjo është një gënjeshtër. Bashkësia e komunave serbe nuk do të jetë OJQ si, ta zëmë, Lëvizja FOL apo OJQ të tjera kosovare. Po të ishte paraparë të jetë OJQ, përse atëherë Bashkësia të ketë flamur dhe stemë. Pas stemës që u prezantua sot, Lista Srpska në kuadër të eskalimit të dozuar të situatës në Kosovë dhe me porosi të urdhërdhënësve të saj në Beograd mund të prezantojë edhe flamurin e vet – dhe që tani mund të merret me mend se ky flamur do të përmbajë ngjyrat kuq, kaltër dhe bardhë, ashtu siç i ka flamuri i Serbisë, ndoshta kombinimi mund të jetë më ndryshe ose t’i shtohet ndonjë kryq apo ikonë kristiano-ortodokse.

Së paku në bazë të «parimeve të përgjithshme» për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe nuk shihet se serbët kanë ndonjë kufizim në dizajnimin  simboleve të tyre. Ky është një dallim shumë i madh me kufizimet që iu vendosën Kosovës për simbolet e saj shtetërore. Disa ngjyra u shpallën të padëshirueshme, për shembull kuq e zi, sepse do të asocionin në flamurin e Republikës së Shqipërisë, i cili për shqiptarët është edhe flamur kombëtar. Në dizajnimin e simboleve të Kosovës u përzien diplomatë të rangut të ulët e të lartë, koçobashë të Brukselit dhe më gjerë, politikanë të Kosovës pa vetëdije të shquar të shtetndërtimit. Rezultatin e dimë dhe simbolet i shohim prej vitesh. Kuptohet që si të tilla ato duhet të respektohen, sepse reprezentojnë shtetin e Kosovës, por askush të mos thotë se dizajnimi ishte një proces demokratik.

Më 23 shkurt 2008 kryeministri i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi ishte shndërruar në kritik të dizajnit. Ai priti në takim dizajnuesin e flamurit dhe stemës së Republikës së Kosovës, Muhamer Ibrahimi. Me atë rast Thaçi tha se «ndihet shumë mirë që shpirti, mendja, sakrifica, ideja, ideali, por edhe dora e ish-luftëtarit të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka prezantuar dhe dizajnuar simbolin e ri të Kosovës, flamurin shtetëror të Kosovës, që do të valojë edhe në OKB dhe në gjithë botën për jetë të jetëve. Muhameri ka bërë një punë të mrekullueshme në atë konkurrencë të jashtëzakonshme profesionale. Ideal i luftës për liri tash po ngadhënjen edhe në betejën për dizajnimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës».

Kjo ishte një përpjekje e Thaçit për të maskuar një proces jotransparent. Si vetë shteti i Kosovës edhe simbolet e tij janë rrjedhojë e një lindjeje të vështirë. Bashkësia ndërkombëtare vendosi rregulla sipas të cilave simbolet e Kosovës duhet të reflektojnë «karakterin multietnik» të Kosovës. Ky parim duket se nuk vlen për Bashkësinë e komunave serbe.

Por ndoshta puna e simboleve nuk është më e rrezikshmja sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe. Marrëveshja përmban elemente të tjera që e bëjnë «Asociacionin/Bashkësinë» e komunave serbe një bombë e kurdisur. Partitë politike të Kosovës duhet të mobilizohen për të kufizuar dëmin që tashmë është shkaktuar me pranimin e kësaj marrëveshjeje skandaloze. Propagandistët politikë të kësaj kontrate me Serbinë duhet të ndëshkohen së paku politikisht. Fjalët që përsëriten me këmbëngulje në marrëveshje janë «ushtrim i vështrimit të plotë». Domethënë: Asociacioni/Bashkësia do të bëjë «ushtrimin e vështrimit të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtrimin e vështrimit të plotë në fushën e arsimit; ushtrimin e vështrimit të plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjes sociale; ushtrimin e vështrimit të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural». Çfarë domethënë «ushtrim i vështrimit të plotë»? Të ushtrosh diçka domethënë të ekzekutosh në praktikë. Marrëveshja përmban një vokabular tejet të rrezikshëm që hap dyert për interpretime të ndryshme dhe i jep mundësi palës serbe të zgjerojë e shtojë kërkesat drejt krijimit të një pushteti ekzekutiv mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale.

Në parimet e marrëveshjes thuhet po ashtu se «kryetari (…) do ta përfaqësojë Bashkësinë/Asociacionin, përfshirë tek autoritetet qendrore dhe jashtë Kosovës». Përse një OJQ, siç na qenkësh Bashkësia e komunave serbe sipas propagandistëve të saj në Prishtinë, të ketë kompetenca edhe në politikën e jashtme? Bashkësia e komunave serbe është një uverturë për krijimin e një Republike Serbe në Kosovë. Askush të mos befasohet që një ditë ky trup të hapë zyra ndërlidhëse të Asociacionit në Bruksel apo Vjenë – siç ka bërë Republika Srpska e Bosnjës e drejtuar nga Millorad Dodiku.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur pjesërisht antikushtetuese këtë marrëveshje, por gjykatësit është dashur të kenë më shumë kurajë dhe ta rrëzonin tërësisht këtë dokument. Miratuesit e kësaj marrëveshjeje do të duhej qëmoti të ishin marrë në përgjegjësi për shkaktimin e dëmit të madh që ia kanë bërë shtetit të Kosovës. Por në laboratorin e politikës primitive kosovare kjo tani për tani nuk është e mundshme. Gjë që nuk domethënë se nuk do të jetë e mundshme në të ardhmen, sepse një ditë, kur të thellohet dëmi nga Bashkësia e komunave serbe, njerëzit mund të vetëdijesohen.