Statusi profesional varet nga prejardhja familjare

Zgjedhja e profesionit përcaktohet nga prejardhja familjare dhe statusi social. Kështu thotë një studim mbi sfondin arsimor të zviceranëve. Cili është edhe roli i sfondit të emigrantit në udhëtimin shkollor të qytetarëve?

Foto: Nejron Photo / Shutterstock.com



Një studim i Entit Federal të Statistikave e hulumton në mënyrë të gjithmbarshme rolin e prejardhjes sociale te studentët dhe ata në zanatë. Nga studimi del që 61 për qind e studentëve kanë prindër me shkollim të lartë dhe universitar (akademikë), kurse te zanatlinjtë kjo qëllon në 27 për qind të rasteve.

Hisja e akademikëve është më e lartë në shkencat teknike: 61 për qind e studentëve të inxhinierisë kanë prindër me shkollim të lartë. Në mjekësi kjo shifër shkon në 57 për qind, në arte – 55 për qind. Në radhë të parë vijnë universitetet, sepse del që nëpër shkolla të larta studiojnë më pak fëmijë akademikësh, transmeton «20 minuten».

Për sa u përket atyre që ndjekin një shkollim profesional, apo siç njihet ndryshe një zanat, më së shpeshti nga familje akademikësh vijnë ata që mësojnë për informatikë. Këtu 38 për qind e prindërve kanë një shkollim të lartë. Në fushën e shërbimeve të trafikut apo atë të shërbimeve personale, një gjë e tillë qëllon në 21, përkatësisht 22 për qind të rasteve.

Një efekt ka sfondi i emigracionit. Në të shumtën e rasteve studetët e Shkollës së Lartë Pedagogjike janë zviceranë. Nëpër universitete dhe shkolla të larta profesionale gjenë më shpesh studentë ndërkombëtarë, se sa në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Përderisa nxënësit e shkollave profesionale, të zanatit, që mësojnë në fushën e shëndetësisë apo të shërbimeve personale kanë shpesh një sfond emigracioni, ata të fushës së bujqësisë në 95 për qind të rasteve janë zviceranë të lindur.

Profesoresha e sosiologjisë së formimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike Nordwestschweiz Regula Leemann jep tre shpjegime se përse familja e ndikon kaq shumë rrugën e shkollimit që ndjekim. E para: fëmijët nga familjet akademike tregojnë sukses më të mirë në shkollë, sepse prindërit e tyre ofrojnë një atmosferë dhe një qasje më të mirë për arsimim. Kjo ka të bëjë me atë se si shprehen prindërit, si komunikojnë ata me fëmijët, çfarë qasje për lexim kanë ata… E dyta: fëmijët e akademikëve orientohen më shpesh se të tjerët për në gjimnaz. Kjo ka të bëjë me faktin që kjo rrugë iu është më e njohur prindërve. Tjetra është fakti që ata dëshirojnë ta ruajnë statusin social që kanë krijuar. Kurse perindërit nga familje punëtorësh pjesërisht janë të lumtur nëse fëmija gjenë një zanat dhe nuk është barë financiare për familjen deri më 30 vjeç. E treta: Një rol luan edhe shkolla, sepse kur vjen te kalimet, mësuesit tentojnë më shumë ta orientojnë në gjimnaz fëmijën e një mjeku, se sa atë të një punëtori. Pavarësisht nga suksesi i nxënësit në shkollë.

Fakti që shumë sekondo (emigrantë të gjeneratës së dytë) studiojnë nëpër univeristete në drejtime me prestigj dhe perspektivë profesionale, si mjekësia apo drejtësia, profesoresha e lidh me orientimin e tyre të lartë për karrierë. Dhe sipas profesoreshës, të huajt duhet të japin më shumë mund se sa studentët mesatarë zviceranë për të shkuar në universitet. ks