Statistika e frikshme e Kosovës: brenda 4 viteve mbi 50 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës

Punëtorët në Kosovë janë të rrezikuar sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Shumica e ndërmarrjeve nuk e respektojnë fare Ligjin e Punës. Rrogat në sektorin privat, i cili punëson mbi 220 mijë veta, mbesin të mjerueshme.

Foto: Shutterstock



Një statistikë e frikshme, e cila është bërë publike këto ditë, nuk ka bërë jehonë sa duhet në opinionin kosovar. Bëhet fjalë për numrin e madh të punëtorëve që humbin jetën apo lëndohen rëndë në vendin e punës. Këtë vit në vendin e punës në Kosovë kanë vdekur tre veta. Në vitin 2015 kanë vdekur nëntë punëtorë dhe 45 janë lënduar. Në vitin 2014 kanë vdekur afërsisht po aq njerëz si më 2015, thotë Basri Ibrahmi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës për Radion Europa e Lirë. Në vitin 2013 kanë vdekur 17 persona në vendin e punës. Në vitin 2012 po ashtu 17 persona. Kushtet e rënda të punës sidomos në ndërtimtari po ua marrin jetën shumë kosovarëve.

Rreth 80 për qind e kompanive private nuk i përmbushin kriteret ligjore që kanë të bëjnë me Ligjin e Punës, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 2011. Një sindikalist kosovar ka thënë për Radion Europa e Lirë: «Punëtorët në sektorin privat trajtohen si skllevër». Sektori privat punëson mbi 220 mijë veta, ndërsa rroga mesatare është 250 deri 300 euro. (-lli)