Stambolli në mes të konsumit dhe kaosit

Metropoli turk sot është dukshëm më i madh se qejfi.

Janë një milion banorë të Stambollit që nuk e kanë parë kurrë detin! Ky kuriozitet vë në pah jo vetëm madhësinë fizike të qytetit, por, mbi të gjitha, është treguesi më i mirë i të gjithë mozaikut dhe llojllojshmërisë që bartë Stambolli.

Stambolli është gjithçka përpos i njëtrajtshëm, i përgjithësuar. Qytetit me rreth 16 milionë banorë nuk i dihet kurrë fundi, qoftë gjeografikisht apo kulturalisht. Në secilin milion të ri, shtohen lagje të tëra të reja, qendra të reja tregtare dhe xhami të tjera të cilat nuk ngjasojnë aspak me ato të lagjeve kushtimisht më të vjetra. Stambolli sot është dukshëm më i madh se qejfi.

Stambolli nuk ka kohë. Mbiemri i vetëm i qytetit në festë e në pushim, në fundjavë e në ditë të javës, në mbrëmje e në mëngjes është – kaos. Nuk ka kohë për shoferin e kombit, i cili taksinë e nget shoqëruar me elaborate gjuhësore dhe manovra gati gjimnastikore të timonit. E nervozojnë sidomos ata që parakalojnë me nge me vetura super të shtrenjta.

Ashtu sikurse për shumë vende të tjera që u goditën nga sulmet terroriste, viti 2016 nuk ishte vit i mirë për Turqinë e sidomos për Stambollin. Sulmet terroriste në aeroportin ndërkombëtar «Atatürk», përpjekja e pasuksesshme për puç ushtarak që rezultoi me histerinë dhe dhunën politike të presidentit Rexhep Taip Erdoan për të «pastruar» administratën publike, akademinë dhe pak a shumë të gjithë Turqinë, e kanë gjunjëzuar Stambollin. Më shumë se sa nga mungesa e parqeve dhe prezenca e kudondodhur e betonit, qyteti duket i asfiksuar nga frika dhe dorëzimi.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Stambolli është një nga metropolet me zhvillimin më të shpejtë ekonomik në botë. Megjithatë, kriza politike ka prekur edhe ekonominë e qytetit. Biznese të tëra përgjatë Lagjes së Bagdadit po mbylleshin këtë verë. Ashtu si ne lagjet Xhade Bostan, Suadije, Ulus, qiratë e dyqaneve dhe të shtëpive janë bërë të papërballueshme. Hapësira publike në këto pjesë të qytetit nuk ka vend as për njerëz e as për kafshë. As për macet e Stambollit që sillen me nge nëpër rrugët plot. Besohet se janë diku rreth 150 mijë mace në Stamboll – tashmë simbol i qytetit. Shumë dyqane, qendra tregtare dhe konsum. Më pak njerëz dhe dashuri. Tregtarët ankohen se ka më pak punë dhe më pak fitime. Shfytyrimi i qytetit nga praktikat neoliberale të ekonomisë ta zë frymën. E në fakt kjo fotografi nuk dallon shumë nga qytete tjera kozmopolite të ridefinuara nga kapitalizmi.

Këto dinamika duket se e kanë përjashtuar një pjesë të mirë të banorëve nga vetë qyteti. Në dy vitet e fundit raportohet për një shpërngulje të qytetarëve nga Stambolli, ndonëse statistikat e sakta mungojnë. Të shpërngulurit kanë marrë rrugë kryesisht në Izmir dhe qytete e krahina në Turqinë perëndimore. Stambolli në anën tjetër vazhdon të popullohet me sirianë, numri i saktë i të cilëve ende nuk dihet me saktësi. Për ata që janë më të shtyrë në moshë e sidomos për shtresën jo të kamur ekonomikisht, Stambolli është bërë i pajetueshëm në kuptimin social e ekonomik në njërën anë, moralisht shkatërrues në anën tjetër.

Të lumtur në Stamboll duken vizitorët që magjepsen me llojllojshmërinë e pakrahasueshme. I shtrirë në dy dete, Detin Maramara dhe Detin e Zi, në dy kontinente, Europë e Azi, Stambolli përnjëherë të bën pjesë të madhështisë së tij gjeografike, historike e kulturore. Është qyteti i shtatë në botë për nga madhësia, ndërsa qyteti më i madh në kontinentin e Europës. Vetëm në vitin 2015, Stambollin e kanë vizituar më shumë se 12 milionë turistë të huaj, duke e bërë atë qytetin e pestë në botë për nga vizitueshmëria.

E lumtur në Stamboll duket edhe shtresa ekonomikisht e pasur. Ajo që jeton nëpër «Yalı» – shtëpitë gjigante buzë Bosforit. Kjo shtresë nuk rropatet nëpër «kombi» të verdhë e të portokalltë, as nëpër metro-busët e stëmbushur (metrobusi – një përzierje e autobusit dhe metrosë, shpikje gjeniale për të përballuar trafikun). Rrëzë këtyre shtëpive të Bosforit sheh të parkuara «anije të vogla» me të cilat këto familje udhëtojnë për qejf nëpër qytetin e shkapërderdhur në det. E lumtur në Stamboll duket edhe elita e re erdoaniste. Kjo e fundit përbëhet kryesisht nga të ardhurit në Stamboll në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit, kryesisht nga qytete të tjera të Turqisë. Religjioz dhe financiarisht të pasur. Gratë në këto hapësira kanë ridefinuar shaminë dhe format tjera të mbulesës islame me sandale «Louboutin» me taka të larta dhe çanta vezulluese «Prada». Dallohen lehtësisht nëpër lagjet e qytetit jo vetëm nga shamia «tradicionale», por edhe nga burka e zezë e ardhur së fundmi me refugjatët sirianë.

E përhumbur në Stamboll duket ajo që rëndom njihet si «elita sekulare». Nuk është pjesë e rëndësishme sociale në «Bejollu», «Sisli», «Nisantasi» të viteve të ‘70 si në librat e Orhan Pamukut. Një pjesë e mirë e kësaj elite mbijeton e izoluar, ndërsa të tjerë e kanë lënë Stambollin e shfytyruar nga kapitalizmi dhe politikat sociale e kulturore të Erdoanit. Me ardhjen në pushtet ai solli një diskurs të ri në hapësirën sociale turke duke thënë se njerëzit si ai janë «turqit e zinj». «Turqit e zinj» do të bëheshin të ardhurit nga Turqia lindore dhe Anadolli në Stamboll, historikisht të përbuzur, më religjiozë dhe më «tradicionalë» sido që kuptohet kjo në hapësirat turke. Ky definicion do të bënte një dallim të qartë me «turqit e bardhë» me të cilën kryesisht i referohet elitës kemaliste, e që tradicionalisht shihet si më perëndimore dhe më laike.

Pas përpjekjes për puç ushtarak, prezenca e kudondodhur e flamujve të kuq me portretin e Ataturkut, duket sikur po përdoret për të bërë bashkë turqit e zinj me të bardhët. Ndërkohë qyteti spastron «armiqtë» e deklaruar e të fabrikuar. Në emër të Republikës, në emër të zotit, në emër të Ataturkut. Pak rëndësi ka. Për konsum janë të gjitha këto në fund të fundit.