«Stabilokracia»: Perëndimi mbështet autokratët e Ballkanit

Shumëkush e quan «stabilokraci», të tjerët konsiderojnë se kështu përherë janë menaxhuar hesapet në gadishullin e trazuar. Në planin afatgjatë, «stabilokracia» sjell vetëm destabilizim, analizon revista prestigjioze britanike «Economist».

Foto: Shutterstock



Më 23 qershor, në praninë e shumë figurave të nderuara të huaja që ia kishte dalë t’i mblidhte, Aleksandar Vuçiq e veshi petkun e presidentit të Serbisë. Ish-kryeministri, zgjedhur president më 2 prill, e mori zyrtarisht detyrën në maj, ama vendosi të shfaqej bujshëm në ceremoninë e madhe inauguruese për ta nxjerrë veten në pah si lider i madh. Në detyrën e pasueses në krye të zyrës kryeministrore emëroi Ana Bërnabiqin, lesbiken që e pranon hapur orientimin seksual, veprim që u duartrokit nga liberalët e huaj.

Në fakt, është pikërisht zoti Vuçiq ai që e drejton vendin, dhe nuk është aspak liberal. Prapëseprapë, krerët perëndimorë ndjejnë njëfarë lehtësimi. Serbia është shteti më i fuqishëm në Ballkanin perëndimor, dhe zoti Vuçiq, pavarësisht rrëshqitjeve të tij, është njeriu që mund ta mbajë rajonin stabil. Dhe variacione të ngjashme në rajon mund të shihen prej ujdive të ngjashme. Dhe shumëkush ka nisur t’u referohet qeverive të tilla si «stabilokraci». Rivali kryesor i zotit Vuçiq në garën presidenciale ishte Vuk Jeremiqi, ish-ministër i Punëve të Jashtme. E fëlliqtë ishte fushata zgjedhore. Mediat e afërta me zotin Vuçiq dolën me akuza të papërmbajtura: zoti Jeremiq u akuzua se ishte mysliman tinëzak që përkrahej prej «Shtetit Islamik», që ishte bashkëfajtor në një vrasje të profilit të lartë; supozohej se gruaja e tij drejtonte një kartel droge. Policia e mori papritmas në pyetje për parregullsi financiare. Nuk u ngrit asnjë aktakuzë, dhe zoti Jeremiq deklaron se raportimet ishin sajesa të kulluara.

Dhe kurrkush nuk u çudit çka i ndodhi zotit Jeremiq. Sipas Sërgja Pavlloviqit, akademikut malazez që e përdori i pari shprehjen «stabilokraci», shtetet perëndimore i mbyllin sytë para praktikave antidemokratike të autokratëve lokalë derisa të sundojë paqja. Bosnja, ta zëmë, mbetet shtet jofunksional edhe mbi dy dekada pas luftës, ndarë pikë e pesë prej partive me bazë etnike. Dhe Amerika e Europa e tolerojnë këtë gjendje të nderë, që në fakt gjenerohet prej krerëve që i sigurojnë se krizat asnjëherë nuk do të përshkallëzohen në të dhunshme.

Stabilokracia funksionon ndryshe varësisht prej vendit. Ta zëmë në Mal të Zi, dihet mirëfilli se kush është shefi: që nga viti 1989 në krye të vendit në fakt është Milo Gjukanoviqi, duke ndërruar herë postin e presidentit e herë atë të presidentit, duke u tërhequr nganjëherë për të sunduar edhe prej prapaskenës. Qeveria e Malit të Zi është çuar në qiell në Perëndim për anëtarësimin e vendit në NATO më 5 qershor. Por pushteti asnjëherë nuk është ndërruar në kutitë e votimit në Malin e Zi. Si kudo në rajon, votat blihen me ofrim të vendeve të punës në qeveri.

Në vendet e Ballkanit, zgjedhjet zakonisht u prijnë negociatave të koalicionit që fokus kryesor kanë ndarjen e pushtetit. (Zgjedhjet që rezultojnë me fitore të shumicës, si puna e zgjedhjeve të 25 qershor në Shqipëri ku socialistët morën shumicën e nevojshme, janë të rralla në rajon.) Dhe nuk do shumë mend për ta qëlluar se kush do ta marrë filan ministrinë. Loja e madhe zhvillohet se kush do ta marrë drejtimin e filan kompanie publike, bashkë me mundësitë për kapje dhe përfitime. Në Maqedoni, partia VMRO-DPMNE, pasi e qeverisi vendin për më shumë se një dekadë, më në fund zuri në thua pas rrjedhjeve së informacioneve që vunë në pah korrupsionin dhe ndërhyrjen në drejtësi. Më 31 maj, socialdemokratët, bashkë me partitë e shqiptarëve etnikë, morën pushtetin. Por qeveria e re do të riprodhojë të njëjtin nepotizëm derisa «nuk heqë dorë prej kontrollit partiak të shtetit», thekson Florian Bieber, analist politik në Universitetin e Grazit. Ky është standard në rajon, ku shteti, qoftë në komunizëm a tani, asnjëherë nuk ka qenë i pavarur prej partive.

«Qytetarët janë lodhur prej politikës dhe votojnë për përfitime të prekshme personale ose shkaku i frikës», thuhet në një raport për stabilokracinë në Ballkan të hartuar nga Grupi Politikën Këshillimore për Europë, organizatë akademike. Zoti Pavlloviq i mëshon fort qëndrimit se kjo po legjitimohet prej Perëndimit që po ndjellë hasmëri edhe kundër vetes. Në Kosovë, partia që ia doli të fitonte më së shumti vota në zgjedhje e 11 qershorit, denoncoi përkrahjen perëndimore për qeverinë e korruptuar. Kjo parti angazhohet për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Nëse dikush fillon jetësimin e këtij projekti, rajoni do të zhytej përsëri në luftë menjëherë pasi njerëzit të gërmonin në dhe për t’i nxjerrë armët. Në planin afatgjatë, stabilokracia mund të jetë recetë për destabilitet.