Sporti më i ri kosovar: sharja e diasporës!

Nga frika se diaspora nuk do të votojë partitë që e kanë futur Kosovën në qorrsokak, mijëra kosovarë nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Pengesat burokratike janë tepër të larta – dhe kështu gara demokratike shndërrohet në farsë.

Foto: Shutterstock



Së fundi takova në një qytezë afër Münchenit disa shqiptarë. Njerëz të mirë nga Drenica e Dukagjini. Z., njëri prej tyre, ishte në disponim të jashtëzakonshëm. Kur e pyeta nëse po shkonte shpesh në Kosovë, u mendua pak dhe tha: «Jo, viteve të fundit më rrallë. Kur po e shoh çka i kanë bërë vendit dajat, po më vjen neveri edhe nga nëna». (Në të vërtetë Z. foli në dialektin gegë: «Kur po e shoh çka i kanë bâ venit dajtë, edhe nana po m’gërditet»). «Dajtë» për Z. ishin pushtetarët, nëna ishte – kuptohet – Kosova.

Qyteza ku jetonte Z. ishte një Kosovë e vogël. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar qyteza kishte 2500 banorë, pothuaj të gjithë gjermanë. Në vitin 2017 qyteza ka rreth 2500 shqiptarë dhe së paku 40 firma me pronarë shqiptarë. Shoqata e shqiptarëve në këtë qytezë mbante emrin e një luftëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në fund të viteve ’90 kishte lënë familjen në qytezën gjermane dhe ishte kthyer në Kosovë për të mbrojtur vendin e vet. Në vitin 2017 Z. nuk arrin të fitojë të drejtën për të votuar në Kosovë. Këtë të drejtë nuk do ta fitonte as ai luftëtari i UÇK-së që ra në fushëbetejë për lirinë e Kosovës në vitin 1999. Këtë të drejtë më lehtë e ka ta fitojë ndonjë Zhivorad, i cili si shef policie në një fshat të Kosovës gjatë viteve ’90 ka bërë kërdi mbi popullsinë civile.

Athua ka të drejtë vote Sh. G., të cilin para më shumë se një dekade e takova në New York? Një drenicak i flaktë për atdhe, i cili në vitet ’60 emigroi në Trieste, pastaj vendosi të vazhdojë rrugën e mërgimit drejt SHBA-së, por më parë bleu në pazarin e Milanos një revole («Një Beretë, o vëlla!»), sepse kishte frikë se kur të aterrojë në aeroportin JFK të New Yorkut do ta vrasin zezakët.

Sh. G. tregonte se kur erdhi Ibrahim Rugova në Amerikë për herë të parë apo të dytë, patriotët shqiptarë gati u kacafytën në aeroport se cili prej tyre do t’ia paguante hotelin dhe një kostum të hairit, që kur të shkojë në Departamentin e Shtetit në Washington të duket si burrështetas i një shteti në themelin e sipër. Më vonë Sh. G. dha çfarë pati në zemër e në kuletë për çlirimin e Kosovës – dha për LDK e për UÇK, për kushërinj të dridheshin nga acari dhe frontin e luftës nuk e lëshonin.

Sot persona si Sh. G. nuk kanë të drejtë vote në Kosovë. Kështu ka vendosur regjimi. Kështu kanë vendosur zaptuesit, çlirimtarët e vetëshpallur, hajdutët që lirinë e Kosovës e panë vetëm si mundësi për të grabitur majtas e djathtas.

Shefja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ankohet se ekipi i saj nuk po ka kohë as për familje për shkak të obligimeve të shumta në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve. Mbi gjysmë milioni kosovarë jashtë atdheut (jo me vullnetin e tyre) po privohen nga e drejta elementare dhe e garantuar me ligj për pjesëmarrje në zgjedhje. Nga frika se diaspora nuk do të votojë partitë që e kanë futur Kosovën në qorrsokak, mijëra kosovarë nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Pengesat burokratike janë tepër të larta – dhe kështu gara demokratike shndërrohet në farsë.

Edhe më keq: sot sporti më i ri kosovar është sharja e diasporës. Mërgimtarët nuk jetojnë pandërprerë në Kosovë, andaj nuk paskan të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje. Këtë nuk e thonë publikisht sundimtarët, por faktikisht kështu është. Ata që për çdo vit e mbajnë gjallë Kosovën me së paku një miliard euro remitenca, ata që së paku dy herë në vit (në mos më shpesh) shkojnë në Kosovë – nga New Yorku, Zürichu, Frankfurti, Vjena, Müncheni, Praga, Berlini, Canberra – ata nuk paskan të drejtë të votojnë. Arsyet e këtyre pengesave mund të merren me mend: diaspora nuk mund të shantazhohet që të votojë për partitë që e kanë shkatërruar Kosovën dhe shumë ëndrra, të cilat ishin të mëdha në vitet ’90 dhe sot janë vetëm një përrallë e keqe. Por, edhe kësaj përralle po i vjen fundi. Nëse jo më 11 qershor, atëherë më 28 nëntor ose më 17 shkurt. Sepse mund të blini militantë, por s’mund të blini një popull.