Spitali që nuk u ndërtua kurrë

Ishte planifikuar të ndërtohej në Prishtinë një spital pediatrik. Paratë për këtë projekt i dhanë Emiratet e Bashkuara Arabe, por institucionet e Kosovës dështuan të kryejnë punët e duhura. Zvarritjet po u bëjnë dëm fëmijëve të Kosovës; për shërimin e tyre jashtë vendit paguhen shuma të mëdha. Kronika e një skandali.

Vendi ku ishte paraparë të ndërtohej spitali i pediatrisë në Prishtinë.



Asnjë shenjë e vetme pune nuk ekziston në zonën ku është paraparë ndërtimi i spitalit pediatrik në vlerë prej 22 milionë euro – donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe mbretëresha e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikha Fatima Mint Mubarak. Në vitin 2015, kur u realizua kjo marrëveshje, por edhe në vitin 2016, kur solemnisht u vu gurthemeli, flitej se do të ndërtohej një spital i standardave ndërkombëare për fëmijët e Kosovës. Por sot e asaj dite asgjë nuk ka lëvizur në drejtim të realizimit të këtij projekti.

Sipas burimeve zyrtare, ministria e Shëndetësisë e Kosovës në këtë projekt ka pasur për detyrë ta pastrojë terrenin; diçka që do t’i kushtonte jo më shumë se 200 mijë euro. Në fillim autoritetet e sektorit të shëndetësisë kishin menduar që edhe këto të holla t’ia kërkonin donatorit. Pastrimi i terrenit ka nënkuptuar dislokimin e tërësishëm të kabllove të rrymës, ujit, telefonisë, gypave të ngrohjes dhe elementeve të tjera të shtrira në hapësirat ku pritet të ndërtohet spitali, midis Klinikës së Pediatrisë, Qendrës së Transfuzionit dhe Klinikës së Gjinekologjisë.

Këto punë duket se i kanë marrë ministrisë dy vite e gjysmë. Bëhet e ditur se punimet e filluara në muajin maj 2017 kanë përfunduar në nëntor të po atij viti, nëpërmjet një kontrate tenderi në vlerë prej 177 mijë euro. «Këto punime kanë përfunduar dhe Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar operatorin e autorizuar nga donatori ndërkombëtar për mbikëqyrjen e punimeve dhe projektit dhe tash pritet që donatori të vazhdojë me fazën tjetër të ndërtimit të spitalit nga kompania e përzgjedhur prej tyre, meqë procedurat e tenderimit kanë qenë në përgjegjësi të donatorit», thuhet në përgjigjen e ministrisë së Shëndetësisë.

Autoritetet shtetërore në Abu Dabi të kontaktuara përmes emailit nuk kanë folur për ecurinë e këtij projekti. Nga burime të tjera në Prishtinë konfirmohet se kompania Mabetex Group është përzgjedhur nga Emiratet për ndërtimin e spitalit. Themelues dhe shef ekzekutiv i Mabetexit është ministri i Jashtëm i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli. Kjo informatë nuk është konfirmuar nga selia e Mabetexit në Prishtinë, as nga autoritetet në Emirate. Nëpërmjet një qendre kontakti në Abu Dabi konfirmohet që marrëveshja për ndërtimin e spitalit është nënshkruar nga Sheikha Fatima Mint Mubarak, presidenti i unionit të grave, shefi i një fondacioni për zhvillimin e familjes dhe presidenti i këshillit suprem për amësi dhe fëmijë.

E zhgënjyer me zvarritjen e këtij projekti ka mbetur Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës. Ajo thotë se këto zvarritje u bëjnë dëm fëmijëve të Kosovës; për shërimin e tyre jashtë vendit paguhen shuma të mëdha. «Jam thellësisht e zhgënjyer me ecurinë e ngadaltë të procesit të zbatimit të marrëveshjes që Kosova ka me Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e spitalit pediatrik në Prishtinë. Zvarritjet gjithmonë janë të dëmshme, e në këtë rast, ato u kanë bërë më së shumti dëm fëmijëve të sëmurë. Pjesa dërmuese e familjeve me fëmijë të sëmurë nuk i kanë mjetet financiare për të paguar për shërimin e tyre, ndërsa kërkesat për shërim jashtë vendit me mjetet e buxhetit të Kosovës miratohen vetëm për disa nga ta. Në vend se Kosova të angazhohej intensivisht në përmbushjen e të gjitha parakushteve për nisjen e ndërtimit të spitalit, me zvarritjet që janë bërë këta fëmijë janë lënë në mëshirën e kohës», tha Jahjaga.

Ajo shtoi se mospërmbushja e detyrimeve të palës kosovare me kohë, fatkeqësisht ka mundur të lë përshtypjen se jemi partner joserioz në këtë projekt apo çfarëdo projekti tjetër. «Investitorët apo donatorët ndërkombëtarë nuk nxiten për të investuar apo mbështetur financiarisht Kosovën nëse ne nuk i kryejmë detyrat tona në marrëveshje me ta», theksoi Jahjaga.

Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë nuk kanë informata se kur do të fillojë ndërtimi i spitalit. Nexhmi Hyseni nga këshilli përgatitor i stafit për spitalin e ri shprehet optimist se puna do të fillojë së shpejti. Sipas tij ndërtimi i spitalit është shumë i rëndësishëm sepse, përveç tjerash, të gjithë fëmijët do të trajtohen dhe do të shërohen nën një kulm. «Ne këtu i bëjmë të gjitha operacionet, por problemi është që i bëjmë me metoda të vjetra, me prerje, sot në botë operacionet bëhen me kamerë. Këto pajisje të reja do të jenë në spitalin e ri, do të jetë një vend me pajisjet që nuk i kemi tani. gjithashtu do të kemi një vend për diagnostifikim, nuk e kemi pasur më herët, laboratore, rezonancë, pajisje moderne për fëmijët. Sipas premtimeve spitali do të përfundojë brenda 18 muajve», thotë Hyseni, drejtor i Klinikës Kirurgjike në Prishtinë.

Shumë fëmijë dhe tinejxherë kosovarë shkojnë për shërim jashtë vendit. V. L., 19-vjeçar nga komuna e Vitisë dhe A. K., dyvjeçar nga komuna e Gjakovës, janë në mesin e qindra pacientëve të cilët kanë udhëtuar jashtë shtetit për të gjetur shërim. Aktualisht ata ndodhen në spitale të ndryshme në Turqi – dhe të dy vuajnë nga sëmundja e njëjtë: leukemi akute. Ndërsa me familjen e dyvjeçarit ka qenë e pamundur të kontaktohet për arsye se ndodhen në Turqi duke kryer terapinë, V.L. nga Turqia shpjegoi situatën përmes telefonit, se si mjekët në Kosovë nuk kanë mundur ta diagnostifikojnë sëmundjen e tij. «Fillimisht kam qëndruar për dy javë në spitalin e Gjilanit, ata më kanë thënë të shkoj në spitalin e Prishtinës, por mjekët sërish më kanë dërguar te mjekë të tjerë. Ne kemi vendosur të shkojmë në Shkup dhe në Tiranë», thotë ai. Sipas dokumenteve mjekësore, kanë qenë mjekët nga Tirana që e kanë zbuluar sëmundjen e 19 vjeçarit, ndërsa një komision prej tre mjekësh në Prishtinë ka rekomanduar që shërimi të bëhet jashtë vendit – madje sa më shpejtë që është e mundur.  Sipas rekomandimit, arsyet e ndërlidhen me moshën e re të pacientit, natyrës së sëmundjes dhe mundësive të limituara në Kosovë.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, qeveria e Kosovës mbulon të gjitha shpenzimet për fëmijët nën moshën 18-vjeçare. Për të rriturit ndahen për çdo vit kalendarik nga 30 mijë euro. Për shkak se V.L. tashmë kishte 19-vjet kur iu zbulua sëmundja, shteti nuk mundi t’i mbulojë shpenzimet e shërimit. Në rrjetin social Facebook është hapur një faqe në emrin e V. L. Bazuar në postimin e fundit ai duhet të bëjë transplantin e palcës kockore që do t’i kushtojë 90 mijë euro. Sipas të dhënave zyrtare ministria e Shëndetësisë në vitin 2017 ka pranuar 439 aplikacione të fëmijëve për shërim jashtë vendit. «Po flasim për sëmundje të ndryshme të fëmijëve; leukemi dhe sëmundje të tjera malinje, ndërhyrje të tjera kirurgjike që nuk mund të bëhen në Kosovë», sqaron zëdhënësi Faik Hoti.

Buxheti vjetor i qeverisë së Kosovës për shërimin e sëmundjeve jashtë vendit në vitin 2017 ka vlerën rreth 13 milionë euro. Edhe në vitin 2018 janë ndarë afërsisht 6 milionë euro me mundësi që kjo shumë të rritet gjatë rishikimit të buxhetit në muajin qershor. Autoritetet thonë që ndërtimi i spitalit të ri do të ndikojë në zvogëlimin e buxhetit të shtetit për kategoritë që kërkojnë shërim jashtë shtetit.

Hysni Jashari, mjek në klinikën e kirurgjisë së fëmijëve, është i bindur se ndërtimi i spitalit të ri do të fillojë shumë shpejt. Ai është pjesë e këshillit përgatitor të mjekëve që kanë kontribuar që projekti t’i plotësojë sa më shumë nevojat e fëmijëve kosovar. Por përtej kësaj, Jashari thotë se ka ende punë që ndërlidhen më shumë me trajnimin e stafit mjekësor. «Ne po planifikojmë që një numër i caktuar i mjekëve dhe stafit tjetër të dërgohen në trajnime, edhe pse nuk e dimë kur do të fillojë ndërtimi i spitalit», tha Jashari. Këto trajnime kërkojnë fonde shtesë nga buxheti i shtetit. Për këtë temë mjekët nuk janë në gjendje të flasin tani. Sidoqoftë, ata thanë se qeveria ka marrë përgjegjësi për t’i mbuluar shpenzimet e tjera.

Spitali i ri parashihet që të ketë një hapësirë prej 10 mijë metra katrorë. Spitali i pediatrisë, kirurgjia, ortopedia, neonatologjia, urologjia, onkologjia dhe të tjera sherbime specialistike do të jenë të gjitha në një vend. Së paku kështu parashihet në letër, e kur do të bëhet realitet mbetet të shihet.