Spitali boshnjak la gërshërët në stomakun e pacientit për gati një dekadë

Spitali i Mostarit është urdhëruar të kompensojë një ish-pacient pasi stafi mjekësor kishte harruar gërshërët në organet e tij pas një operacioni rutinë vite më parë.

Foto ilustruese: Shutterstock



Spitali Universitar i Bosnjës në Mostar, në jugperëndim, do të duhet t’i paguajë një ish-pacienti rreth 20,000 marka – afërsisht 10,000 euro – plus interesin dhe kostot gjyqësore, pasi i la gabimisht në vitin 2003 një palë gërshërë në stomak.

Për nëntë vjet, gërshërët lëvizën në organet e 41-vjeçari, fillimisht përmes zorrëve dhe pastaj përmes stomakut, ku dhe ngecën. E gjithë kjo i ka shkaktuar dhimbje të madhe.

Vendimi i gjykatës vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor, gjatë së cilit u vërtetua se Alen Papaq i pati gërshërët kirurgjikale në trup për nëntë vjet, pasi mjekët harruan t’i merrnin.

Pas një operacioni rutinë për ulçerë në stomak në vitin 2003, Papaq i shpëtoi ulçerës – por një person nga stafi mjekësor harroi të merrte gërshërët.

«Shpesh ndjeja dhimbje në stomak. Herë pas here shtrohesha në spital për të trajtuar dhimbjen. Herën e parë që ndjeva dhimbje ishte një vit pas operacionit të parë, kur më duhej të shkoja përsëri në spital», kujton ai.

«Megjithatë, më thanë se ishte inflamacion pankreatik. Më mjekuan dhe dhimbja u zbut. Por për pothuajse nëntë vjet, unë kam pasur probleme me barkun gjatë gjithë kohës. Më dhimbte kudo që më preknin. Megjithatë, skanimet nuk i shfaqën gërshërët, sepse ato nuk janë të dukshme në ultratinguj», tha Papaç për media boshnjake.

Mjekët e zbuluan arsyen e vërtetë të problemeve të tij të shpeshta shëndetësore në nëntor të vitit 2012, kur u ekzaminua për kollë.

«Kisha një kollë të vazhdueshme, të cilën nuk mund ta mjekoja. Në fund, më skanuan mushkëritë dhe u trondita. Gërshërët ishin 12 centimetra të gjata! Janë gërshërët që përdoren në kirurgji për të ndaluar gjakderdhjen… Ato m’i kishin ngritur mushkëritë në njërën anë duke më shkaktuar një kollë të vazhdueshme», tha ai.

E gjithë frika e tij u konfirmua më vonë pasi një operacion tjetër u krye në të njëjtin spital. Një ekzaminim i hollësishëm tregoi se një nga mushkëritë e tij ishte zgjeruar. Pamjet treguan se gërshërët ishin ende të mbërthyera në trupin e tij, në zorrën e trashë.

Për nëntë vjet, gërshërët lëvizën përmes zorrëve të holla dhe pastaj më tej.

Gërshërët janë hequr tashmë, por kanë lënë pasoja serioze për shëndetin e tij. Me gjithë mjekimin afatgjatë, një vlerësim i ekspertëve ka zbuluar se shanset e tij të jetës janë ulur me 25 për qind.

Vendimi i gjykatës në Mostar është i shkallës së parë. Spitali, i cili ka refuzuar të komentojë për rastin, ka 30 ditë për të paraqitur një ankesë në gjykatën e qarkut.

(https://www.reporter.al/spitali-boshnjak-la-gersheret-ne-stomakun-e-pacientit-per-gati-nje-dekade/)