Spiralja vdekjeprurëse

Derisa Izraeli e ngatërron dhunën me forcë, konflikti do të zgjasë. Kështu nuk mposhtet Hamasi. Sepse Hamasi nuk është vetëm një organizatë terroriste. Ai është një ide, një ide e dëshpëruar, fanatike, e lindur nga zhgënjimi dhe pashpresa e shumë palestinezëve. Deri më sot asnjë ide nuk është mposhtur me dhunë.

Amos Oz.



Më shumë se dy mijë vjet hebrenjtë e kanë njohur gjuhën e dhunës vetëm në formën e goditjeve që i kanë qëlluar ata. Prej disa decenieve ne jemi vetë në gjendje të ushtrojmë dhunë. Me këtë forcë ne mjaft shpesh jemi dalldisur. Kur përballemi me një problem, ne ia mbushim mendjen vetes se mund ta zgjidhim ushtarakisht. Si thuhet aq bukur: Kush e ka vetëm një çekan, te secili problem e sheh nga një gozhdë.

Para themelimit të shtetit të Izraelit shumë hebrenj në Palestinë nuk e kishin të qartë se ku janë kufijtë e dhunës, ata besonin se secili cak mund të arrihet me dhunë. Për fat politikanët udhëheqës të gjeneratës themeluese si David Ben Gurioni dhe Levi Eschkol e dinin shumë mirë se dhuna ka kufi, dhe ata kujdeseshin që këta kufij të mos tejkalohen. Por, që nga lufta gjashtëditore e vitit 1967 Izraeli është i fiksuar në forcë ushtarake. Përbetimi tingëllon kështu: nëse nuk arrijmë diçka me dhunë, atëherë duhet të përdorim edhe më shumë dhunë.

Bllokimi i Rripit të Gazës është një prodhim tipik i këtij këndvështrimi. Themeli i tij është supozimi se Hamasi gjoja mund të mposhtet me dhunë ushtarake, bile gjithë problemi palestinez mund të zgjidhet me dhunë.

Por Hamasi nuk është vetëm një organizatë terroriste. Ai është një ide, një ide e dëshpëruar, fanatike, e lindur nga zhgënjimi dhe pashpresa e shumë palestinezëve. Deri më sot asnjë ide nuk është mposhtur me dhunë – as me bllokadë, as me sulme ajrore, as me kolona tankesh dhe as me aksione të marinës. Për të mposhtur një ide, duhet të prezantohet diçka më e mirë, një ide që është më atraktive dhe e pranueshme. Izraeli do e heq qafe Hamasin vetëm nëse me palestinezët merret vesh për krijimin e një shteti të pavarur (Bregu perëndimor dhe Rripi i Gazës në kufijtë e vitit 1967) me kryeqytet Jerusalemi lindor. Izraeli duhet të lidhë një marrëveshje paqeje me Mahmud Abazin dhe qeverinë e tij dhe kështu të reduktojë konfliktin izraelito-palestinez në një konflikt mes Izraelit dhe Rripit të Gazës. Në fund ky konflikt mund të zgjidhet vetëm me bisedime me Hamasin, e më mirë do ishte me Hamasin duke përfshirë edhe Fatahun e Abazit.

Edhe nëse Izraeli i dërgon njëqind anije drejt Gazës, nëse e pushton njëqind herë ushtarakisht Gazën dhe nëse po aq shpesh intervenon me ushtri, me polici dhe me komando speciale – problemi nuk do të zgjidhet. Problemi qëndron aty se ne në këtë vend nuk jemi vetëm dhe as palestinezët nuk janë vetëm në këtë vend. Ne nuk jemi vetëm në Jerusalem dhe palestinezët nuk janë vetëm në Jerusalem. Derisa ne, izraelitët dhe palestinezët, nuk i pranojmë konsekuencat logjike të këtij fakti të thjeshtë, ne do të jetojmë në gjendje përherë të jashtëzakonshme – Gaza nën bllokadën izraelite, Izraeli nën rrethimin ndërkombëtar dhe arab.

Unë fare nuk dua të vë në dyshim rëndësinë e forcës. Për Izraelin forca ushtarake është jashtëzakonisht me rëndësi. Pa të ne s’do të mund të jetonim një ditë. Mjerë ai vend që mendon se forca është e parëndësishme. Por ne asnjë çast nuk duhet të harrojmë se forca vetëm atëherë është e dobishme nëse përdoret në mënyrë parandaluese – për të penguar asgjësimin dhe pushtimin e Izraelit, për të mbrojtur ekzistencën tonë dhe lirinë tonë. Çdo përpjekje që forca ushtarake të mos përdoret në mënyrë parandaluese, pra për vetëmbrojtje, por si mjet për të shmangur problemet dhe për të shporrur nga kjo botë idetë, do të shkaktojë edhe më shumë katastrofa sikur kjo e fundit para bregdetit të Rripit të Gazës, në det, në ujëra ndërkombëtare.

Amos Oz është shkrimtari më i njohur izraelit në botë. Veprat e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë. Oz disa herë është përmendur si kandidat serioz për çmimin Nobel për Letërsi. Ai është aktivist shumëvjeçar për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve.