Sot vazhdimi i seancës së Kuvendit, opozita thotë jo?

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në një seancë plenare, në të cilën parashihet të shqyrtohen një varg projektligjesh me rëndësi për vendin.




Sipas ftesës, seanca duhet të fillojë në orën dhjetë me këtë rend të ditës:

1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij,
2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për letërnjoftimin,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës,
4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së
Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut,

5. Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim: “KSV/018: Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës”,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për energjinë termike,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për dizajnin industrial, si dhe
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për themelimin e Fondit kosovar për garanci
kreditore.

Po me këtë rend të ditës duhej të mbahej seanca një javë më parë, por ajo qe ndërprerë si pasojë e bllokimit të Kuvendit nga deputetët e partive opozitare – Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat insistojnë tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë dhe në atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ato kanë paralajmëruar bllokimin e Kuvendit edhe për sot po me këtë kërkesë, ndërsa pozita thotë se marrëveshjet janë punë kryer, që nuk kthehet pas.

Komuniteti ndërkombëtar dhe prania e saj në Kosovë e ka quajtur të dëmshëm dhe jodemokratik bllokimin e Kuvendit nga opozita.