Sot u varros Republika

Kidnapimi i shtetasve turq dhe deportimi i tyre i paligjshëm në Turqi është krim shtetëror. Krim shtetëror i Kosovës. Në një vend normal tërë shoqëria do të çohej në këmbë për të kërkuar shkarkimin e kidnapuesve.

Ilustrmi: Shutterstock



Ekstradimi i shtetasve turq me leje të rregullta qëndrimi në Kosovë quhet, përndryshe, krim shtetëror. Sot Kosova nuk u soll më ndryshe se një «republikë bananesh». Këtë vendim të tmerrshëm me gjasë e morën ose së paku nuk e penguan edhe njerëz që edhe vetë dikur kanë qenë të përndjekur nga një regjim represiv dhe atëbotë ishin shumë të lumtur që shtetet perëndimore u ofruan strehim. Ish-refugjati në Zvicër Hashim Thaçi, tani president i Kosovës, është i dyshuari kryesor i këtij operacionit, të kryer me shërbimin sekret të Kosovës dhe të Turqisë – dhe me porosi të diktatorit turk Rexhep Taip Erdoan. Në fakt Thaçi u distancua – ose gjarpri fshehu këmbët, por duke pasur parasysh fuqinë e tij politike askush nuk mund ta marrë me mend se shërbimi sekret i Kosovës dhe policia guxojnë të veprojnë së paku pa dijen e Thaçit. Operacioni për arrestimin e një zyrtari vulgar serb para disa ditësh ishte njëri nga shembujt e shumtë. Drejtori i policisë, sipas dëshmitarëve, më shumë rrinte në telefon me Thaçin se me kryeministrin, eprorin e tij kryesor.

Thaçi, shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ministri i Brendshëm, një figurë shahu i gatshëm për të kryer krime mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe të gjithë të involvuarit e tjerë në këtë skandal, sot e varrosën Republikën e Kosovës. Ata u shndërruan në instrumente terrori të regjimit turk, i cili prej vitesh shkel të drejtat elementare të njeriut dhe e ka futur nën kontroll drejtësinë. Për t’u sqaruar mbetet edhe roli i të ashtuquajturit ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili së fundi është takuar me ministrin e Jashtëm turk. Vetëm naivët mund të presin që një oligark, i rritur si biznesmen në shtete që vrasin opozitarë, ka ndjeshmëri për të drejtat e njeriut dhe respektimin e ligjit. Për figura të tilla Kosova është vetëm një poligon për privatizime jotransparente, nepotizëm dhe pazare të pista politike. Si mund të bëhet një veprim i tillë pa dijen e ministrisë së Jashtme? Si mund të bëhet një krim i tillë pa dijen e ministrisë së Drejtësisë?

Duhet përsëritur: rrëmbimi i njerëzve siç ndodhi sot është akt i terrorit shtetëror. Shteti i Kosovës sot ia shtoi vetes edhe këtë njollë. Nuk ka vend në Europë që pas grusht-shtetit në Turqi në korrik 2016 ka kidnapuar shtetas turq dhe ia ka dorëzuar «drejtësisë turke». Vetë Erdoan e pati quajtur përpjekjen për grusht të shtetit një «dhuratë pres Allahut». Shefi i shërbimit sekret gjerman (BND), Bruno Kahl, në një intervistë me revistën «Der Spiegel» ka deklaruar se Ankaraja nuk ka sjellë ndonjë dëshmi bindëse se Lëvizja Gülen ka qenë e përfshirë në puç. E mundshme është që disa zyrtarë të afërt me Gülenin të kenë luajtur një rol të caktuar, por kjo nuk e arsyeton fushatën e Erdoanit, i cili çdokënd që e kritikon e shpall përkrahës të Gülenit. Para disa ditësh një diplomat turk në bisedë me gazetarë zviceranë u përpoq të na bindë se gülenistët janë gjithkund. Ai tha se ka shtete që janë në duar të gülenistëve dhe si shembuj përmendi Kosovën dhe Shqipërinë. Kur u pyet të tregonte konkretisht se cilët janë ata gülenistë që drejtuakan Kosovën e Shqipërinë, diplomati mbylli gojën. Për dallim nga Kosova, e cila sot kreu një krim, Shqipëria përmes një dredhie nuk e ekstradoi një shtetas turk. Ai u arrestua në Durrës, u la i lirë dhe pastaj u zhduk, me gjasë në ndonjë vend tjetër. Drejtësia greke u tregua vërtet e pavarur kur vendosi të mos ekstradojë disa ushtarakë turq, të cilët gjatë puçit ikën në Greqi. Presioni turk ishte i madh, por Athina nuk shkeli mbi vlerat themelore të BE-së. Edhe Gjermania ka refuzuar deri më tani të ekstradojë shtetas turq të akuzuar nga Erdoani.

Në Prishtinë guvernatorët e provincës osmane të quajtur Kosovë zbatuan urdhrin e padishahut nga pallati me 1000 dhoma ne Ankara. Për çka u arrestuan këta njerëz? Pse fillimisht nuk u ballafaquan me ligjin në Kosovë? Në një vend normal tërë shoqëria do të çohej në këmbë për të kërkuar shkarkimin e kidnapuesve. Në një vend normal partitë politike do të takoheshin dhe do të fillonin procedurat për shkarkimin e rrëmbyesve – duke filluar nga ai që quhet kreu i shtetit. LDK, e cila duke zgjedhur Thaçin president ka kryer njërin prej krimeve më të mëdha politike pas shpalljes së pavarësisë, sot po merret me humbjen e Prishtinës. Në mbrëmje LDK doli me një deklaratë qesharake,, të zbehtë, ku nuk kërkoi dorëheqjen e askujt dhe renditi ca broçkulla në stilin: do të ftojmë këtë apo atë zyrtar për të raportuar. Natyrisht LDK shprehu shqetësim me gjendjen e krijuar. Marrëzi totale! Kryeministri i Kosovës është degraduar në qatip, me të cilin po tallet tërë vendi. Mirë që foli së paku kryetari i Kuvendit, i cili tha se abuzuesit arbitrarë duhet të japin llogari. Por me gjasë edhe kjo protestë e Kadri Veselit do të mbetet në murin e tij në Facebook – pa asnjë konsekuencë. Sepse kjo është qeveri e PDK-së, në fund të fundit. E kanë krijuar Veseli dhe Thaçi.

Tashmë kanë filluar përpjekjet «mediale» që krejt faji për këtë skandal t’i ngarkohet partisë së Pacollit dhe ministrit të Brendshëm, të cilin furtunat politike e sollën nga Lugano në Prishtinë – pa asnjë votë nga populli dhe të gatshëm që këtë copë Kosovë të rrezikuar nga shumë anë ta shndërrojnë në repart të firmës Mabetex. Dhe meqë në Prishtinë kanë bërë koalicion me Mabetexin, deputetët e pavarur, deputetët me zemra dhe Albin Kurti heshtin. Kaq sa i përket parimeve. Ku është avokati i popullit? Ku janë konzorciumet e shoqërisë civile që çdo ditë kërkonin kalimin e demarkacionit? A nuk është detyrë parësore e shoqërisë civile mbrojtja e të drejtave civile?

Ironia e tërë kësaj historie është kjo: Thaçi me gjasë për llogari të veta ia kreu një shërbim të pistë Erdoanit, sepse nuk i duhet më Kolegji «Mehmet Akif»: aty Endrit Thaçi tashmë e ka kryer gjimnazin. Viktima të kësaj poshtërsie sot ishin pesë mësues dhe një mjek. I paçin në qafë ata që me pabesi kriminale i dorëzuan në duar të një shteti që nuk respekton të drejtat elementare të njeriut.