Sot ti dhe vetëm ti ngrite zërin për një Kosovë të mirëqenë dhe europiane!

Një letër votueseve dhe votuesve të Republikës së Kosovës.



Sot, e dashur votuese, i dashur votues, ti ke të drejtë të jesh nihiliste, nihilist. Ke të drejtë të ndihesh i fyer, i poshtëruar, i hidhëruar, i zemëruar. Dhe për këtë ke miliona arsye, jo vetëm një. Vendi yt i dashur është ndër më të varfrit në Europë. Spitalet publike të vendit tënd janë më të tmerrshmet jo vetëm në Europë. Sistemi arsimor i vendit tënd është më i prapambeturi në Europë, ndoshta edhe më gjerë. Shteti yt, në themelet e të cilit u derdh aq shumë gjak njerëzish të pafajshëm, është jofunksional, pa ekonomi prodhuese dhe pa gjyqësi që ndan drejtësi të paanshme. Fabrikat e vendit tënd, shumica, janë mbyllur dhe shndërruar në depo të prodhimeve të importuara. Hudhrat, qepët, mielli, biskotat, mishi, vaji, sheqeri e kripa që shiten në dyqanet e vendit tënd, importohen nga të gjithë cepat e botës. Shumica me cilësi të dyshimtë.

Vendi yt, e dashur votuese, i dashur votues, s’prodhon gati asgjë, përveç hekurishteve të vjetra. Në vendin tënd papunësia është ndër më të lartat në Europë. Vendi yt, vendi ynë, atakohet me e pa të drejtë, sepse s’ka kush ta mbrojë, mes shumë shteteve vendi ynë duhet të bart vulën e turpit – jo për shkak të fajit të vegjëlisë, por për shkak të krimit, korrupsionit dhe poshtërsive të një tarafi politik që nuk ka plan tjetër për Kosovën pos të shesë edhe dheun nën këmbët e zgjedhësve, qytetarëve.

Sot çdo kosovare, çdo kosovar, secili shqiptar i Kosovës, secila shqiptare nga Deçani në Kamenicë, nga Mitrovica në Kaçanik ndjen dëshpërim të thellë për vitet e humbura, ëndrrat e varrosura, shpresat e vdekura. Nga ky dëshpërim buron një rrezik: mohimi i Kosovës, i lirisë së saj, shtetësisë së saj. Ky mohim nuk e çon Kosovën përpara, assesi, ky mohim vetëm mund ta gjuajë Kosovën në humnerë. Sot, e dashur votuese, i dashur votues, duhet të ndodhë e kundërta: jo mohimi, por pohimi i lirisë, i mundësive, i shanseve të papërsëritshme. Zgjedhjet janë një shans. As më pak, as më shumë. Sot – më shumë se kurrë – ti je kalorës, kalorëse në betejën për t’i dhënë kuptim lirisë së Kosovës. Me votën tënde. Me vullnetin tënd. Me dashamirësinë tënde.

Mund të mendosh, i dashur votues, e dashur votuese, se edhe kjo e diel është vetëm një komedi politike. Por, ekziston një komedi edhe më e madhe, të cilës duhet t’i japësh fund. «E gjithë kjo është vetëm një komedi. Mbreti dhe dhomat e parlamentit qeverisin, populli duartroket dhe paguan», u shkruante nga Franca prindërve të tij shkrimtari gjerman Georg Büchner në shekullin e ‘19. «Populli i mjerë tërheq me durim qerren, mbi të cilën princërit dhe liberalët luajnë komedinë e tyre të majmunëve». Kësaj komedie, siç u tha, votuesit kosovar duhet t’i japin fund.

«Mendimi im është ky: nëse në kohën tonë diçka të ndihmon, atëherë ajo është forca. Ne e dimë se çfarë mund të presim prej princërve tanë. (…) Çka e quani ju gjendje ligjore? Një ligj, i cili masën e gjerë të qytetarëve e bën kafshë skllavëruese për t’i kënaqur nevojat e panatyrshme të një numri të vogël të njerëzve të parëndësishëm dhe të kalbur? Ky ligj, i përkrahur nga pushteti i ashpër ushtarak dhe nga dredhitë e marra të agjentëve të tij, ky ligj është një dhunë e përhershme, e ashpër, që ushtrohet mbi të drejtën dhe arsyen e shëndoshë, dhe unë do të luftoj me gojë e me dorë kundër tij kudo ku mundem». Forca e votuesit është zëri i tij! Sot ti dhe vetëm ti ngrite zërin për një Kosovë të mirëqenë dhe europiane!

Me votën tuaj, të dashur votues, ju i jepni kuptim shtetit. Ai është fakt, i njohur prej më shumë se 100 shteteve – nga Azia në Amerikë. Këto zgjedhje duhet të japin përgjigje edhe për përjetësinë e lirisë dhe të territorit të Kosovës. Janë zgjedhje që vendosin themelet e ardhmërisë për shumë gjenerata. Për ta arritur këtë jepni fund demagogjisë, e cila po ia zë frymën Kosovës qe dy dekada. Mos ua falni besimin, mos u jepni asnjë votë kandidatëve të dyshuar për korrupsion, por as partive që e kanë mundësuar korrupsionin. Jepni fund absolutizmit. Kthejani dinjitetin vendit. Përqafoni më të dashurit tuaj dhe përqafojeni lirinë e këtij vendi, pastaj votoni. Ka shumë njerëz që e kanë bërë krenarë vendin tonë. Republikën tonë. Atdheun tonë. Tokë tonë. Truallin tonë.

Sot ti dhe vetëm ti ngrite zërin për një Kosovë të mirëqenë dhe europiane! Një Kosovë që para botës shpalos vlerat e saj të mëdha – tolerancë e trimëri, mikpritje dhe besë, urti që artikulohej nga Anton Çetta dhe Ibrahim Rugova, shpirt luftarak siç demonstrohej nga Agim Ramadani, mençuri siç e dëshmonin para botës Gazmend Zajmi e Fehmi Agani, kryengritje mes grilave si ajo e Albin Kurtit më 1999. Në kujtimet tona janë ata që ranë për liri, mijëra gra të dhunuara dhe mijëra të tjerë të sakrifikuar – nga Valmir Deliu 18-muajsh deri te fëmijët e Prekazit.

Sot ti dhe vetëm ti ngrite zërin… Sepse në ëndrra fillon përgjegjësia (William Butler Yeats).