Sot 17 vjet: Marrëveshja Holbrooke–Millosheviq

Ujdia e 13 tetorit pruni në Kosovë një mision vëzhguesish ndërkombëtarë, të cilët dëshmuan se Sërbia s'po hiqte dorë nga dhuna. Si rrjedhojë, Natoja nisi bombardimet kundër forcave sërbe në pranverë.

Foto: Shutterstock.com



Gjithçka zuri fill në shtator 1998, kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje Jugosllavisë së mbetur me i dhënë fund luftimeve në Kosovë. Këshilli miratoi Rezolutën 1199, që kërkonte me siguru lëvizjen e lirë, me ua mundësu të zhvendosurve me u kthy në shtëpi të veta, dhe me i leju ndihmat ndërkombëtare në vend.

Rezoluta njëkohësisht detyronte Beogradit me pranu vëzhgues të huaj dhe me nisë një zgjidhje politike për Kosovën. Natoja u bë gati me i ra Sërbisë, në rast se s’i përmbushte kërkesat e Kombeve të Bashkuara. I dërguari amerikan Richard Holbrooke u nis për Beograd me i paralajmëru sërbët.

Marrëveshja me kryetarin jugosllav Sllobodan Millosheviq nuk vonoi. Diktaktori u shfaq në televizionin shtetëror, duke thënë se po ndiqte rrugën që do ta shmangte ndërhyrjen ushtarake.

Më 13 tetor 1998, Holbrooku dhe Millosheviqi u pajtuan për zgjidhje paqësore për Kosovën. Ushtria sërbe do tërhiqej prej Kosove, populli do kthehej në shtëpi e të lëvizte i lirë, kurse bashkësia ndërkombëtare do të vërtetonte zbatimin e marrëveshjes dhe të mbikëqyrte zgjedhjet e ardhshme.

Beogradi pranoi që Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, e njohur shkurt si OSBE, të dërgonte në Dardani një mision prej dymijë vëzhguesish. Ky mision qe thelbi i marrëveshjes.

Perëndimi ishte mësu me premtimet e kota të Millosheviqit. Kur e pyetën Kryetarin amerikan Bill Clinton nëse priste që marrëveshja të zbatohej, ai u përgjigj kështu:

«S’jam as ndjellamirë e as ndjellakeq, sepse tash kam diçka më të mirë në dorë. E kemi një sistem vërtetimi, kështu që s’na mbetet vetëm me shpresu… Do të ketë fakte — fakte në terren që do të na tregojnë nëse [marrëveshja] po zbatohet.»

Kryeministri britanik Tony Blair qe dhe më i ashpër. Ia kujtoi Sërbisë se Natoja s’do ngurronte me përdorë forcën, nëse Sërbia s’e mbante fjalën.

Në afat të gjatë, marrëveshja Holbrooke–Millosheviq s’u kuvendonte shqiptarëve. Ushtria Çlirimtare e Kosovës këmbëngulte në pavarësinë e vendit, ndërsa përfaqësuesit e Dardanisë në Evropë kundërshtonin mundësinë e një zgjidhjeje përfundimtare që shqiptarëve do u jepte më pak vetëqeverisje nga ç’kishin në ish-Jugosllavi para vitit 1989.

Në afat të shkurtë, megjithatë, ujdia ngjalli shpresat për liri. Refugjatët shpresonin me kalu dimrin në votrat e veta, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës po këndellej duke i rigrupu radhët.

Mirëpo Sërbia nuk e pati seriozisht kur u zotu për paqe në Dardani. Më 15 janar 1999, forcët sërbe masakruan 45 shqiptarë në katundin Reçak të Therandës.

Misioni i vëzhguesve, me në krye ambasadorin amerikan William Walker, dëshmoi dhunën. Bota u trondit nga pamjet e civilëve të vrarë. Siç kishte pritë vetë Kryetari Clinton, faktet në terren po tregonin se Sërbia s’po zbatonte marrëveshjen.

Dëshmia e misionit vëzhgues që u mundësu me marrëveshjen e 13 tetorit nuk e solli drejtpërdrejt ndërhyrjen e Natos. Bombardimeve u paraprinë përpjekjet e dështuara të diplomacisë, përfshi bisedimet e Rambujesë, që nuk e bindën dot Beogradin me lënë popullin shqiptar të lirë.

Por Natoja veproi më në fund. Nën udhëheqjen e Juesejit dhe Britanisë, në pranverën me tri nëntëshe, aleanca perëndimore nisi fushatën humanitare për ta ndalë gjenocidin sërb në Dardani. Pas 78 ditë bombardimesh, Jugosllavia e mbetur, dhe Sërbia si pjesë e saj, pranuan me tërheqë të gjithë praninë shtetërore prej Kosovës.

Më 10 qershor 1999, trupat e para të Natos nisën me hy në Dardaninë e lirë. Marrëveshja Hoolbroke–Millosheviq lujti rolin e vet, padyshim.

(Autori është avokat në Teksas, SHBA)