Sopranoja kosovare do të debutojë në «Teatro Regio» të Torinos

Me një agjendë të ngjeshur paraqitjesh në vitet e fundit e me biografinë që përfshin gjashtë çmime ndërkombëtare, sopranoja Marigona Qerkezi, tashmë e ka dëshmuar se potenciali i saj vokal u shkon për shtat skenave të mëdha botërore.




E bija e mexosopranos së njohur kosovare, Merita Juniku, ishte vetëm 22 vjeçe kur debutoi në Operën Mbretërore në Oman, vitin e kaluar. Në të njëjtën skenë u rikthye edhe sivjet me rolin e Mbretëreshës së Natës në «Fyellin magjik» të Moxartit, shkruan sot «Koha Ditore».

Ky rol duket se po i sjell fat pasi që Qerkezi tashmë e ka siguruar debutimin në një prej shtëpive më të njohura operistike në Itali. Ajo do t’i bashkohet kastës së operës që do të finalizohet më 2017 në «Teatro Regio» në Torino. Kjo shtëpi operistike tashmë e ka hartuar agjendën për sezonin e radhës dhe në të ka përfshirë edhe një rol për sopranon nga Kosova.

«Teatro Regio» (Teatrit Mbretëror) ishte inauguruar më 26 dhjetor të vitit 1740 me «Arsace» të kompozuar nga Francesco Feo.

Qerkezi në skenën e teatrit me traditë do të ngjitet me një rol me të cilin është e familjarizuar.
E në teatrin e Torinos, Qerkezi mezi pret të ngjitet, sidomos për shkak të traditës që ka kjo shtëpi operistike.

Torino do t’i shtohet listës së vendeve të shumta ku tashmë ka performuar Qerkezi, duke përfshirë Slloveninë, Rusinë, Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë, Kroacinë, Maqedoninë, Shqipërinë etj. Fituesja e gjashtë çmimeve ndërkombëtare operistike së fundi mori edhe çmimin e parë në konkursin “Leyla Gencer” dhe në konkursin «Magda Olivero».