Sonte premiera e baletit «Xhuljeta pa Romeon»

Dy vjet më parë koreografi nga Austria do të dëgjonte rrëfimet e luftës së balerinëve kosovarë për t’i «përkthyer» në një shfaqje baleti.

Derisa po realizonte shfaqjen që flet për dhimbjen e luftës, trazirat, arratisjen, dëbimin e shpresën, Darrel Toulon e kishte memorizuar një skenë fiktive midis balerinëve Teuta Krasniqi e Fatmir Smani, shkruan sot «Koha Ditore». Fragmenti në të cilin ata ishin të dashuruar, por nuk mund të ishin bashkë për shkak të rrethanave, Toulonit i kishte ngjasuar me historinë e famshme të «Romeos e Xhulietës» së William Shakespeare.

Prej aty kishte zënë fill ideja e shfaqjes së dytë që ai ka realizuar me Baletin Kombëtar të Kosovës. E ka titulluar «Xhuljeta pa Romeon». E realizuar në frymën e baletit kontemporan, premiera e dytë e këtij institucioni brenda vitit është një homazh metaforik për personat e pagjetur që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë. «Xhuljeta pa Romeon» që shoqërohet edhe me nëntitullin «Dashuria pret përgjithmonë» do të shfaqet sonte (e mërkurë) në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

«Është vizion tepër personal dhe mendoj që me këtë produksion po e vë veten në një tjetër vijë. Mendoj që si koreograf duhet të jesh plotësisht i sinqertë me lëvizjet, trupin, emocionet, ato që thua dhe mënyrën se si i prezanton. Puna e koreografit për mua s’ka qenë asnjëherë thjesht të realizosh spektakël», ka thënë Toulon në një konferencë për media të martën. Toulon ka shpjeguar se ka 6 javë që po punon intensivisht me balerinët kosovarë për të realizuar shfaqjen që vjen pas «Your stories, my story», e cila në maj të vitit të kaluar qe shfaqur edhe në teatrin «Schauspielhaus Graz» në Graz të Austrisë.

Ai ka shpjeguar se «Xhuljeta pa Romeon» është inspiruar edhe nga fotografitë e personave të pagjetur që janë të varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.

Në skenë, gjatë shfaqjes së baletit do të qëndrojë korniza pa fotografi, që sipas imagjinatës së koreografit lidhet me ndjenjat e atij që pret dikë e që nuk mund ta shohë.

«Kjo i sjell aspekte specifike lokale këtij produksioni. Kur e realizova ‘Your stories, my story’ kam menduar se ishte vetëm një kompani tjetër, me të cilën do të realizoja shfaqje. Por kur erdha këtu e kuptova që lloji abstrakt i veprës është krejtësisht jorelevant, sepse te këta balerinë ka shumë më tepër se kaq», ka thënë ai.

Toulon ka zbuluar se në fletoren e tij kishte shkruar se ekziston një mur me fytyra të njerëzve që janë zhdukur dhe ka njerëz që kanë mbetur duke i pritur të kthehen.

«E një prej tyre është Xhuljeta. Dhe këtu shihet qartë lidhja me të pagjeturit», ka thënë ai. Lëvizjet e balerinëve shoqërohen me muzikë të Gabriel Prokofiev, Dave Grusin, Kally Save dhe kompozitores kosovare Donika Rudi.

Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se «Xhuljeta pa Romeon» është një shfaqje prekëse, me shumë emocione dhe kuptim.

«Është bërë një punë sistematike dhe jam shumë i kënaqur me punën që ka bërë koreografi, por edhe këta valltarë të rinj», ka thënë Brahimaj, duke shtuar se kjo shfaqje është realizuar enkas për një festival në Graz të Austrisë. Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantohet në edicionin e 25-të të «Internationale Buhnewerkstatt Tanztheaterfestival» më 13 dhe 14 të muajit korrik.

«Jam i bindur se meqë patëm sukses me , kjo do të jetë vazhdimësi e suksesit», ka thënë Brahimaj.

«Your stories, my story» kishte përlotur një pjesë të audiencës austriake që përbëhej nga rreth 400 veta. Përveç rrëfimit për luftën, të thënë në gjuhën e baletit, kjo shfaqje baleti para publikut të Grazit kishte marrë edhe një tjetër kuptim: një imazh i mirë për Kosovën që duhet ta shohë Evropa, qe cilësuar kjo shfaqje baleti nga deputetja austriake, Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Bashkimin Evropian.

Balerina Teuta Krasniqi, e cila ka rolin kryesor në shfaqje – atë të Xhuljetës, ka thënë se kjo eksperiencë ka qenë një lloj vazhdimësie e bashkëpunimit të parë me Toulonin.

«Me këtë shfaqje po vazhdon pak a shumë e njëjta temë që ka qenë herën e parë që e kemi bërë me Darrelin, pasi që zhdukja e njerëzve është temë shumë aktuale në Kosovë, kështu që është një shfaqje që kërkon shumë emocion dhe është shumë prekëse», ka thënë ajo.

E balerini Fatmir Smani, që portretizon Romeon, ka thënë se për realizimin e shfaqjes kanë punuar shumë.

«Shpresoj që do t’ju pëlqejë», ka thënë ai, duke përkujtuar që premiera shfaqet në orën 20:00.