Soneti 76

Foto: Shutterstock



Pse ësht‘ vargu im kaq i zhveshur nga risia,
Pa metrika të reja, pa variacione;
Pse s’ndryshojnë me kohën mendimet e mia,
Por unë mbetem rob i të njëjtave pasione?
Përse vazhdoj të shkruaj po njësoj,
Me të njëjtën muzë, ndjenjë a emocion;
Pse metodave rishtare larg iu qëndroj,
E në vargun tim kushdo poetin e zbulon?
Sepse, e dashur, unë shkruaj gjithnjë për ty;
Ti dhe dashuria – të vetmet argumente;
Gjithçka si dikur; asgjë e re s’më hyn në sy,
Në vargjet e mia, askush gjë tjetër s’do gjente.
Njësoj si dielli plak që çdo mëngjes lind i ri,
Në kartë vazhdoj të hedh të njëjtën dashuri.

Përktheu: Rudi Bobrati