Sllovenia mbështet nënshkrimin e MSA-së dhe procesin e liberalizimit të vizave

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, ka zhvilluar sot një takim me sekretaren Shtetërore përgjegjëse për çështjet evropiane të Ministrisë së Punëve të Jashtme sllovene, Darja Bavdaž Kuret me të cilën ka diskutuar për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës.




Zëvendësministri Ilazi gjatë takimit deklaroi se Kosova pret që viti 2015 të shënojë kthesë pozitive në marrëdhëniet e Kosovës dhe BE-së duke nënvizuar që tani është momenti i duhur që BE të konfirmojë në mënyrë konkrete perspektivën Evropiane për Kosovë përmes nënshkrimit të MSA-së dhe marrjes së rekomandimit për liberalizim të vizave prej anës së Komisionit Evropian deri në fund të këtij viti. Ilazi ka theksuar se këto dy procese janë qenësore për zhvillim dhe stabilitet në vend.

Sekretarja shtetërore Kuret përsëriti qëndrimin se Sllovenia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e proceseve euro-integruese për Kosovën. Ajo nënvizoi se qeveria Sllovene mbështet nënshkrimin e MSA-së dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë ditës, zëvendësministri Ilazi po ashtu ka realizuar takime në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Agjencinë për Zhvillim Rajonal ku ka diskutuar për përvojën Sllovene në qasje në fondet strukturore të BE-së dhe mënyrën më të mirë për të rritur qasjen e Republikës së Kosovës në këto fonde, sidomos në fushën e zhvillimit rajonal.