Sllogani fashist në Kroaci rrezikon të hedhë poshtë qeverinë

Sllogani i lëvizjes fashiste kroate të Luftës së Dytë Botërore «Za dom spremni», mbetet një temë politike delikate, ku mosmarrëveshja për një pllakë që mban këto fjalë mund të prishë koalicionin qeveritar të vendit.

Sllogani «Za dom spremni» është përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga ustashët, kolaboracionistët kroatë të nazistëve.



Qeveria e koalicionit e Kroacisë, e udhëhequr nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) po përballet edhe një herë me një shpërbërje të mundshme, këtë herë për shkak të një pllake me fjalët «Za dom spremni» (Gati për atdhe), një sllogan i përdorur nga lëvizja fashiste ustashe kroate e Luftës së Dytë Botërore. Pllaka u zbulua në nëntor në qytetin e Jasenovacit, pranë vendndodhjes së kampit më të madh të përqendrimit ustash, duke përkujtuar 11 anëtarë të vdekur të Forcave Mbrojtëse Kroate (HOS), një njësi paraushtarake e kohës së luftës dhe milicisë partiake të Partisë Kroate të së Drejtës të ekstremit të djathtë.

Ajo shkaktoi menjëherë reagime negative, jo vetëm nga opozita, por edhe nga partneri i HDZ-së, Partia e Pavarur Demokratike Serbe, SDSS. Ustashët vranë më shumë se 83 mijë serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë në kampin e Jasenovacit midis vitit 1941 dhe 1945. Problemi fillestar ishte se sllogani shfaqet në pllakë si pjesë e stemës së armëve të regjistruar zyrtarisht të një organizate të veteranëve të luftës nga HOS, e cila u krijua në fillim të konfliktit kroat në 1991 dhe luftoi kundër serbëve rebelë të Kroacisë dhe Armatës Popullore të Jugosllavisë para se të integroheshin në Ushtrinë Kroate në vitin 1992.

Shoqata e Vullnetarëve të HOS në qytetin e Zagrebit u regjistrua nga zyra e Zagrebit për administratën e përgjithshme dhe nga Ministria e Administratës Shtetërore në vitin 1998, me fjalët «Za dom spremni» si stema e saj zyrtare. Dhjetorin e kaluar, pasi diskutimi mbi pllakën e Jasenovacit doli nëpër media, kryeministri Andrej Plenkoviq tha se qeveria do të miratojë legjislacionin për të rregulluar çështjen. Përdorimi i slloganit nuk është i ndaluar në Kroaci, edhe pse disa gjykata kanë vendosur se ai përfaqëson regjimin ustash dhe ndonjëherë brohoritet në eventet e krahut të djathtë dhe në ndeshjet e futbollit.

Plenkoviq më pas njoftoi se një këshill special, i përbërë nga ekspertë, do të ngrihej për të hartuar legjislacionin që rregullon përdorimin e simboleve të regjimeve totalitare. Për të përmbushur detyrën, qeveria ngriti Këshillin për Ballafaqimin me Pasojat e Sundimit të Regjimeve Jo-Demokratike në mars – edhe pse anëtarët e saj nuk ranë dakord se do të diskutonin çështjen «Za dom spremni». Ndërkohë Partia Liberale Popullore Kroate (HNS) tha në qershor kur iu bashkua qeverisë së koalicionit të HDZ-së se pllaka do të hiqej brenda një muaji – një afat që skadoi në fund të korrikut.

Në atë pikë, Plenkoviq tha se qeveria po priste një zgjidhje nga Ministria e Administratës Shtetërore.

Simbol legjitim?

Çështja shpërtheu përsëri të shtunën, kur Ministri i Drejtësisë i HDZ-së Drazhen Boshnjakoviq tha në një intervistë për të përditshmen «Veçernji list» se pllaka «nuk do të hiqet para marsit». Koalicioni qeverisës, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka shumë pak mbi maxhorancën minimale prej 76 deputetësh në parlament, nuk mund të qëndrojë në pushtet pa mbështetjen e pesë deputetëve të HNS-së, si dhe të tre ligjvënësve të SDSS-së dhe pesë deputetëve të pakicave etnike që veprojnë në një bllok informal me SDSS. Plenkoviq përsëriti të martën se qeveria po punon për çështjen duke pasur parasysh detyrën e saj për respektimin e viktimave të Jasenovacit dhe 11 anëtarëve të rënë të HOS të përkujtuar në pllakë. «Ne po kërkojmë një zgjidhje ku përmbajtja në pllakë nuk do të ofendojë ndjenjat e askujt dhe ne do ta gjejmë zgjidhjen shumë shpejt», tha ai.

Zvone Çurkoviq, ish-komandant i HOS në qytetin lindor të Vukovarit, tha në televizionin publik HRT të martën se stema është një «simbol legjitim» i njohur nga shteti, por në rastin e Jasenovacit duhet të bëhet një përjashtim.

«Mendimi im personal në pllakën përkujtimore në Jasenovac është se HOS duhet të bëjë një gjest – ta heqë «Za dom spremni» nga ajo pllakë vetëm në Jasenovac… për të respektuar viktimat e pafajshme [të kampit] pavarësisht se sa ishin», tha Çurkoviq. Por Milijan Bërkiq, nënkryetar i parlamentit dhe zëvendëspresident i HDZ, tha të hënën se «pllaka e HOS u vendos në mënyrë të ligjshme». Bërkiq këmbënguli se ajo është «stemë lufte e një njësie ligjore nga lufta e atdheut» – siç quhet zyrtarisht lufta e viteve ’90 në Kroaci. Ai tha se veteranët e HOS kanë pak lidhje me fashizmin, ashtu sikurse ata që kërkojnë heqjen e pllakës kanë pak ndjeshmëri «për kroatët». «Ata që përkrahin heqjen e pllakës nuk e kanë dashur kurrë Kroacinë; jo vetëm që nuk e kanë dashur, por kanë punuar kundër lirisë dhe pavarësisë së saj», tha Bërkiq. Ndërkohë, presidenti i rrjetit të shoqatave të HOS, Borislav Barishiq, tha të hënën se HOS nuk mund të përshkruhej si «fashiste dhe ustashe», sepse u formua në vitin 1991, shumë kohë pasi regjimi i epokës së Luftës së Dytë Botërore pushoi së ekzistuari.

Barishiq i bëri thirrje Plenkoviqit të mbrojë shoqatat e HOS ose do të detyrohen të mbështeten në thirrje për referendume ose t’i drejtohen gjykatave ndërkombëtare. Gjuro Gllogoski, kreu i Shoqatës së Veteranëve të Luftës me Aftësi të Kufizuar, e cila udhëhoqi një protestë prej një viti e gjysmë gjatë viteve 2014-16 për më shumë të drejta për ish-ushtarët, paralajmëroi ndërkohë që organizatat e veteranëve kanë ndërmend «opsione B dhe C» nëse Plenkoviq nuk bën diçka – një nënkuptim për ripërtëritje të veprimtarisë së tyre.

Simpati për ustashët

Përveç përshtatjes së «Za dom spremni», ata herë pas here përdorën foto të kreut ustash Ante Paveliq në selinë e tyre. Që nga krijimi si HOS dhe ama e saj politike, Partia Kroate e të Drejtave e ekstremit të djathtë, kanë pasur të përbashkëta disa simbole të caktuara me lëvizjen e ustashëve. Akronimi HOS në vetvete është i njëjtë me akronimin e Forcave të Armatosura Kroate – emri i forcave të armatosura të Shtetit të Pavarur të Kroacisë të udhëhequr nga ustashët, Shteti i Pavarur i Kroacisë (NDH), një aleat i Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste. Njësitë e HOS kanë qenë ose mbeten të emëruara sipas komandantëve të shquar ustashë si Jure Francetiq ose Rafael Boban, dhe ato kanë kënduar këngë ustashe.

Në vitin 1992, presidenti kroat Franjo Tuxhman, historian me profesion, shprehu pakënaqësinë e tij me magjepsjen e HOS me ustashët, që e shihte si negative për imazhin ndërkombëtar të Kroacisë. «Ku do të ishte Gjermania nëse vazhdonte traditën e bluzave të zeza? Kjo ishte një nga pengesat kryesore për njohjen ndërkombëtare të Kroacisë», shtoi ai. «E di që mes këtyre të rinjve ka pasur fanatikë kroatë, njerëz që kishin ideale kroate, por më çudit sa të dhënë janë pas atyre që vishen me të zeza dhe pas fashistëve që humbën në Luftën e Dytë Botërore», tha Tuxhman.

Pavarësisht disa pretendimeve të kundërta nga qarqet e së djathtës ekstreme, «Za dom spremni» u krijua nga lëvizja ustashe në vitet 1930, ndërsa ishte aktiv jashtë vendit, jashtë Mbretërisë së Jugosllavisë. Në një intervistë të vitit 1957, të botuar në gazetën kroate «Diaspora» vetëm në vitin 1968, Paveliq thoshte se donte një sllogan me një «kuptim militarist». Ai tregonte se si ishte frymëzuar pjesërisht nga mënyra se si mbreti kroat Petar Kreshimir IV i shekullit të ‘11 e kishte përdorur fjalën «gati». «Gati për çfarë? Për atë që është më e shenjta mes gjërave në tokë: për shtëpinë! Një shtëpi nuk është vetëm një atdhe, por një vatër, ndaj kuptimi i saj është dy herë më i fortë. Ky term përdoret në të gjithë historinë tonë dhe është gjithashtu i pranishëm në poezinë tonë patriotike», tha Paveliq.

Pa ndalim të veçantë

Neni 325 i Kodit Penal specifikon se njerëzit që «bëjnë thirrje për urrejtje ose dhunë kundër grupeve… për shkak të përkatësisë racore, fetare, kombëtare ose etnike» mund të dënohen me tre vjet burg, ndërsa organizatorët e grupeve të urrejtjes mund të marrin deri në gjashtë vjet burg. Ndryshe nga ligji gjerman, i cili ndalon përdorimin e simboleve të veçanta naziste dhe slogane si «Sieg Heil», legjislacioni kroat nuk thotë saktësisht se çfarë nuk lejohet. Neni 325 gjithashtu thotë se njerëzit që «publikisht mohojnë ose japin pëlqimet e tyre kundër gjenocideve apo masakrave, akteve të agresionit, krimeve kundër njerëzimit apo krimet e luftës» gjithashtu mund të marrin deri në tre vjet burg. Megjithatë, zor se dikush që këndon «Za dom spremni» ose mban simbole të ustashëve mund të ndiqet penalisht sipas nenit 325. Ashtu si futbollisti kroat Josip «Joe» Shimuniq cili këndoi «Za dom spremni» bashkë me mijëra spektatorë në një ndeshje ndërkombëtare në Zagreb në vitin 2013 – njerëzit zakonisht akuzohen për kundërvajtje dhe marrin gjoba.

Sipas preambulës së kushtetutës, vendi i ka themelet në veprimet e Këshillit Antifashist të Kroacisë në kundër establishmentit të ustashëve që drejtuan NDH në vitin 1941. Pavarësisht nga mungesa e specifikimeve ligjore, shumë ekspertë dhe politikanë pohojnë se antifashizmi është i sanksionuar në kushtetutë dhe për këtë arsye shfaqja e mbështetjes për ustashët mund të ndiqet penalisht. Duke pasur parasysh këtë, në 2004, kryeministri kroat Ivo Sanader urdhëroi heqjen e një memoriali kushtuar komandantit të Ustashëve Francetiq në qytetin Slunj. Sanader tha se ishte «në kundërshtim me themelet historike të kushtetutës së Republikës së Kroacisë dhe [dëmton] reputacionin dhe interesat e Republikës së Kroacisë».

Ndërkohë zyra e Avokatit të Popullit në vend tha në shkurt të këtij viti se slogani «Za dom spremni» bie në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Minoritetet Kombëtare. Prandaj, zyra e Avokatit të Popullit pohoi, se ekziston jurisprudencë për ndjekje të tilla penale. Ajo gjithashtu theksoi se disa nga këto vendime u konfirmuan nga Gjykata Kushtetuese. Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu përmendi një numër vendimesh në të cilat gjykatat dënuan njerëzit për përdorimin e «Za dom spremni» dhe e cilësuan atë si «përshëndetje zyrtare të regjimit ustash dhe regjimit totalitar të NDH-së».

Zyra gjithashtu theksoi një konkluzion të komitetit parlamentar të Kroacisë për kushtetutën, rregulloren parlamentare dhe sistemin politik, që thoshte se pllaka në Jasenovaç «ofendon viktimat e kampit ustash dhe viktimat e këtij regjimi». Megjithatë, në një shembull tjetër të interpretimeve të kundërta që kanë çuar përpara mosmarrëveshjen për slloganin, gjykata e qarkut në qytetin e Kninit liroi një person në vitin 2011 nga akuza pasi ky këndoi «Za dom spremni», duke pretenduar se ishte një frazë e njohur «në të gjithë historinë kroate».