«Slloba i vogël» kërcënon të gjitha vendet e rajonit

Ivica Daçiqi, ish-zëdhënës i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, ka kërcënuar të gjitha vendet fqinje – mes tjerash edhe për shkak të përkrahjes së Kosovës.

Ivica Daçiq.



Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, Ivica Daçiqi ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendeve të rajonit. Ai deklaroi se kjo nuk është hakmarrje, por politikë e reciprocitetit dhe se Serbia nuk do ta lejojë askënd që ta poshtërojë. «Unë me padurim pres se kur do të paraqitet ndonjë qëndrim i rëndësishëm në organizatat ndërkombëtare për Maqedoninë a për Malin e Zi, dhe do ta shohim se si do të shfaqet Serbi«», ka thënë Daçiq.

Njohja e Kosovës dhe mbështetja e saj për anëtarësim në UNESCO, sipas fjalëve të Daçiqit, i rëndon marrëdhëniet e Serbisë me fqinjët, por kjo nuk do të thotë se Serbia do të ndërmarrë diçka bilaterale kundër këtyre vendeve. «Unë nuk them se ne tani do të ndërmarrim diçka kundër Malit të Zi, apo Maqedonisë, apo Kroacisë, apo kundër kujtdo qoftë, unë vetëm flas për qëndrimin tonë ndaj kërkesave të tyre, kur ata të jenë në rend të ditës, përndryshe kjo nuk ka të bëjë asgjë me marrëdhëniet tona dypalëshe. Bëhet fjalë për integritetin tonë territorial. Paramendojeni tani sikur serbët në Mal të Zi ta deklaronin shkëputjen… Ku është dallimi? Përqindja e shqiptarëve në Serbi është më e vogël (se e serbëve në Mali të Zi)», ka thënë Daçiq.

Ai shtoi se Serbia dëshiron që «çështja e Kosovës të zgjidhet përgjithmonë, por vetëm me marrëveshje». Duke folur për marrëdhëniet në rajon, Daçiq ka thënë se ka shumë probleme që janë «të fshehura nën qilim dhe janë duke pritur për shpërthim, gjë që nuk është mirë». «Prandaj, Serbia do të luajë rol konstruktiv. Politika jonë është politikë e paqes, e stabilitetit, e pajtimit dhe forcimit të besimit në rajon dhe kjo është bazë për stabilitetin e gjithë Europës», – ka thënë Daçiq.

Në pyetjen se çfarë do të bëjë Serbia për t’i ulur tensionet në marrëdhëniet me Kroacinë, që sipas mendimit të tij janë shumë të këqija, Daçiq ka thënë se ai do të takohet patjetër me homologun e tij, Davor Ivo Shtir, por ka shtuar se «Serbia nuk e ka bërë madje asnjë hap të vetëm që ishte i drejtuar kundër kroatëve, përkundrazi», dhe se pret që «gjërat të kthehen në normalitet, që Kroacia të sillet si një anëtare e përgjegjshme e BE-së».

Ai ka thënë se disa vjet më parë, në rolin e kryeministrit serb ka rënë dakord me ish-kryeministrin e atëhershëm kroat, Zoran Milanoviq, për mënyrën si të tejkalohen problemet bilaterale dhe se janë formuar komisione dhe grupe punuese, por se «pala kroate nuk ishte shumë e interesuar për zgjidhjen e gjithë kësaj» dhe se «madje as nuk e ka emëruar përfaqësuesin e vet në këto grupe punuese, ndërsa sot theksojnë se këto janë disa probleme të vështira».

«Për shembull, për kufirin, Kroacia kurrë nuk e ka caktuar pjesën e vet të komisionit që do të duhej të merrej me këtë çështje. Gjithashtu, të gjitha këto çështje që Kroacia sot i thekson, siç është ligji për krimet e luftës, çështje kjo e juridiksionit universal, Kroacia absolutisht nuk i ka përmendur deri pak vite më parë, edhe pse ai ligj është në fuqi për më shumë se 10 vjet. Mbi të gjitha, nëse kësaj i shtohen edhe problemet ideologjike që ekzistojnë, e kjo do të thotë problemet brenda Kroacisë, që janë ende të ngarkuare me logjikën e politikës anti-serbe, kemi ardhur në situatën që sot të jesh kundër Serbisë është standard në Kroaci», ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se «rivendosja e ideologjisë ustashe» dhe «rehabilitimi i kriminelëve ustashë» në Kroaci nuk do t’i kontribuojë pajtimit, sidomos «në kohën kur të gjithë të luftojnë kundër rehabilitimit të fashizmit, nazizmit, në këtë rast ideologjisë ustashe». Ai ka thënë se Serbia nuk ka probleme në marrëdhëniet me Kroacinë, por Kroacia ka probleme me vetveten, përkatësisht me historinë e saj.

«Sa na përket neve, ne nuk jemi të interesuar për Kroacinë, le të bëjnë ata çfarë të duan, ne na intereson qëndrimi i tyre ndaj serbëve që jetojnë atje, ndaj serbëve që ishin viktima në Luftën e Dytë Botërore, e sot serbë ka më pak se pesë për qind, derisa para 30 vjetësh ishin 15 për qind, cilat janë të drejtat e serbëve, çfarë problemesh të tilla do të zgjidhim», ka thënë Daçiq, dhe ka shtuar se Serbia pret që «gjërat të kthehen në normalitet, që Kroacia të sillet si një anëtare e përgjegjshme e BE-së».

Në pyetjen nëse incidentet ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi i kanë dëmtuar marrëdhëniet me Podgoricën, Daçiq e ka mohuar këtë, duke thënë dhe se Qeveria serbe nuk ka të bëjë asgjë me këtë.

Ai ka thënë se Serbia dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore, por se nga qëndrimi i Malit të Zi për çështjet e rëndësishme për Serbinë varet edhe qasja e Serbisë ndaj atij vendi. «E respektoj dhe e dua Malin e Zi, por pikëpamjet e tyre politike në raport me interesat tona nacionale dhe shtetërore ishin për një flakaresh i rëndë në fytyrë dhe ne me siguri do t’i ashpërsojmë marrëdhëniet me Malin e Zi, duam marrëdhënie shumë të mira me ta, ai është vendi më i afërt për ne, por e dini çfarë, nëse ata vazhdimisht votojnë kundër interesave serbe kur është fjala për çështjen tonë më të rëndësishme, për integritetin territorial dhe sovranitetin, atëherë unë nuk shoh asnjë arsye që Serbia të votojë për diçka që është në interes të Malit të Z«», ka thënë Daçiq.

Daçiq ka thënë se nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por për «reciprocitet në politikën e jashtme» dhe se «Mali i Zi në raport me Serbinë është sikur Guineja e Re e Papës». «Çfarë tani, Mali i Zi ka votuar në favor të Kosovës dhe ne tani të themi – nëse keni votuar – asgjë?! Ju vazhdoni lirisht të votoni kundër nesh, e ne edhe më tutje do të ju duam. Prandaj, nuk mund të them se i dua siç i kam dashur. Nuk mund ta bëj këtë, sepse do të pështyja mbi veten time. Ashtu sikur ata që nuk japin nga vetja, nuk jap as unë. E sa u përket serbëve, sikur ne të kërkonim reciprocitet se sa malazezë ka në Serbi në funksione dhe në organe shtetërore, atëherë malazezëve nuk do t’u mbetej asgjë atje poshtë», tha thënë Daçiq.

Daçiç tha se e njëjta vlen edhe për Maqedoninë, dhe se Serbia ka bërë gabim që e ka njohur këtë shtet me emrin e saj kushtetues, ngase ajo e ka njohur Kosovën. «Serbia ka bërë gabim të madh në lidhje me të. E gjithë Europa dhe bota e përdorin emrin ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ndërsa ne u kemi dhënë flakaresh vëllezërve tanë grekë dhe tani presim nga grekët që ata të mos e njohin Kosovën, ndërsa Maqedoninë e kemi njohur duke i lënduar grekët, ndërsa ata (maqedonasit) gjithmonë votojnë për Kosovën. Më duhet të them se ne jemi budallenj. Ja, do ta përdor një term jodiplomati«», ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se Beogradi në marrëdhëniet dypalëshe me Shkupin do ta përdorë emrin kushtetues, por se në raportet multilaterale do ta përdorë emrin që përdoret në BE dhe në OKB – IRJM (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë). «Tani ju doni të thoni se kjo është hakmarrje. Kjo nuk është hakmarrje, kjo është politikë e përgjegjshme shtetërore dhe nacionale. Serbia nuk është lodër e gjithkujt që të luajë me ne. Ne nuk do t’ia lejojmë askujt që të na poshtërojë. Nëse për dikë nuk janë të rëndësishme kishat tona dhe manastiret tona në Kosovë dhe Metohi, të cilat janë djegur dhe shkatërruar, dhe kjo për dikë nuk është e mjaftueshme që të paktën të jetë i përmbajtur për këtë çështje në UNESCO, atëherë unë e vë në dyshim thelbin e marrëdhënieve ton», – ka thënë Daçiq.

Daçiq ka thënë se roli i politikës së jashtme është që në «mënyrën më të mirë të mbrohen interesat shtetërore dhe nacionale» dhe se aspak nuk ka nostalgji për ish-shtetin e përbashkët. «Çfarë fati do të ishte nëse kurrë nuk do të ishim bashkuar, por që në vitin 1918 do të kishim krijuar shtetin e Serbisë si një forcë fituese… Ne Jugosllavisë i dhamë gjithçka … që tani në fund të dëgjojmë ligjërata dhe që dikush anash të na japë flakaresha rreth asaj se si duhet të sillet Serbia. Nuk jam përkrahës i faktit që tani ta kthejmë edhe faqen tjetër». (-lli)