Skllevër dhe dhëndurë

Mbi demokracinë në Kosovë si një udhëtim skllevërish nga djepi në varr.

Foto: Shutterstock



Njerëzimi ka përjetuar gjithçka. Monarki – domethënë: sundim i një mbreti a perandori, i cili ia kalon pushtetin trashëgimtarit të tij. Aristokraci – domethënë: një shtresë feudalësh që sundon duke shfrytëzuar vegjëlinë. Oligarki – domethënë: kur pushtetin e mbajnë disa skllavopronarë e aristokratë të pasur, të cilët shtypin e shfrytëzojnë pa mëshirë robërit e shtresat e varfra. Teokraci – domethënë: sundim i dinjitarëve fetarë. Diktaturë – domethënë: sundim i pak njerëzve që pushtetin e kanë marrë me forcë. Olhokraci – domethënë: kur pushtetin e mban në duar llumi i shoqërisë. Kleptokraci – domethënë: sundim vjedhësish, hajdutësh. Në kleptokraci pushteti ekziston vetëm e vetëm që t’i përkushtohet një misioni: vjedhjes. Plutokracia – domethënë: sundim i pasanikëve të një vendi. Ose sundim i parasë.

Absolutizëm – domethënë: një sistem sundimi, në të cilin pushtetin më të lartë e ka në dorë tërësisht vetëm një njeri (mbreti a perandori), monarki e pakufizuar, sundim absolut. Anarki – domethënë: një gjendje kur mungon pushteti dhe secili e ndien veten mbret e sundimtar, kryeministër e ministër, zëvendësministër e këshilltar. Autokraci – domethënë: një sistem sundimi që i jep legjitimitet vetes dhe dirigjohet nga një autokrat. Despotizëm – domethënë: sundim i një tirani. Kakistokraci – domethënë: sundim i pjesëtarëve më të këqij, më mizorë të shoqërisë.

Por, forma më moderne dhe më mizore e sundimit është komandantokracia e versionit kosovar. Kjo formë ka edhe disa nënforma: birokracia (sundimi i bijve të politikanëve të fuqishëm), vëllazokracia (sundimi i vëllezërve të politikanëve të pushtetshëm), kusherikracia (sundim kushërinjsh),  dhëndurokracia (sundim i dhëndurëve), tenderokracia (sundim përmes shpërndarjes së pasurisë publike në duart e zhvatësve). Komandantokracia e versionit kosovar simbolizon keqpërdorimin e pushtetit, harxhimin pa hesap të parasë publike, joefikasitetin. Shtylla të këtij sistemi janë njerëz pa asnjë skrupull, njerëz që s’kanë asnjë turp, të paaftë për të parë të mirën e përbashkët dhe të aftë për të manipuluar dhe keqpërdorur pushtetin. Shkurt dhe shqip Kosova po hyn në një fazë që do të mund ta quanim qelbokraci.

Në qelbokraci dhe dhëndurokraci pjesëtarët e një populli shikohen dhe trajtohen si skllevër. Skllavi është i lumtur në errësirë. Jetën në errësirë ai e sheh si kësmet, si diçka të keqe që është e shkruar dhe me të cilën duhet bashkëjetuar, andaj në këtë sistem nuk ka betejë mes të keqes dhe të mirë, por mes të keqes dhe më të keqes. Për qytetarin e skllavëruar jeta nuk është më shumë se një udhëtim nga djepi në varr.