Skënderbeu në seancën e Speciales




Qytetarët e Kosovës, të dëshpëruar me punën dhe angazhimin e UNMIK-ut dikur dhe të EULEX-it tash, nuk kanë iluzione se mund të bëhet diçka shumë e dukshme për udhën e të nesërmes së tyre, por së paku mund të ndjehen të lehtësuar se beteja për të vërtetën, e nisur në seancën për Specialen, do të mund të marrë krah pikërisht nga tash. Mbase shfaqja e Skënderbeut në Kuvend nuk do të mbetet vetëm metaforë.

 

Nga Bardh FRANGU

Specialja u aprovua në rrethana specifike; në një anë veteranët e UÇK-së protestuan duke sharë dhe gjuajtur liderin numër një në Kosovë, zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, në anën tjetër shpërthimi i akuzave në Kuvend, i cili nuk ishte gjë tjetër sall një prolog për dramën që paralajmëronte Specialja në vazhdime. Nuk të bënte shumë përshtypje arritja e numrave për votimin e Speciales, sepse që përpara është ditur se fati i votimit qëndron në duart e njeriut më të fuqishëm në Kosovë tash e tetë vite, Hashim Thaçit. As loja e opozitës nuk të bënte përshtypje, përkundër që nuk ka pasur ndonjë rast tjetër që të zhvillohet një debat kaq i gjatë dhe kaq i ashpër, ndërsa gati të gjithë opozitarët sikur kishin marrë për detyrë shtëpie që të përpiqeshin për të ndikuar në kolegët e tyre në pushtet për të mos e votuar Specialen.

Shumë emocione derdhën opozitarët, madje shkuan deri aty sa seancës i dhanë një karakter krejt melodramatik. I gjithë debati mori kuptimin e angazhimit për përfitime elektorale dhe asgjë më tepër. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse një klasë politike, plotësisht e papërgjegjshme, emocionin mund ta shpërfaqte vetëm si fasadë.

Po ajo që ishte e veçantë në këtë seancë, ishte gjuha e përdorur dhe akuzat e hedhura kundër njëri-tjetrit. Nuk është thënë kot se gjuha është shtëpia ku banon qenia. Mbështetur në këtë mund të themi se Kuvendi ngjante në një shtëpi të pistë dhe të rrezikshme për banorët e tij. I pistë për faktin se nëpërmjet fjalimeve të gjata dhe plotësisht të përsëritura, dëshmohej shkalla e lartë e injorancës, e cila si pikë mbështetëse kishte një logjikë etnonacionaliste plotësisht të deplasuar. Krijohej bindja se moti i lig që mbretëronte jashtë Kuvendit, sikur i kishte motivuar deputetët të besonin në një kataklizëm shtetëror dhe kombëtar nga aprovimi i Speciales!

Në anën tjetër e rrezikshme ngjate shtëpia e Kuvendit për faktin se akuzat provonin të dëshmonin se shumë nga deputetët duhej të ishin personazhe të Speciales dhe të tillë që duhej t’i nënshtroheshin një lustrimi që kurrë nuk patëm vullnetin ta bëjmë. Në fakt Kuvendi u shndërrua në një pamje, brenda së cilës më së miri funksiononte kuptimi ironik i sloganit të njohur dhe të përdorur kaq dendur «Edhe unë jam Kosovë».

E, po, cili ishte qëndrimi i neve shikuesve që ishim pozicionuar karshi ekranit të televizionit publik, i cili, përjashto disa minuta të defektit në rrjet, besnikërisht përcolli vullnetin e mirë të kryeparlamentarit që debati për Specialen të shteret plotësisht. Po ky vullnet i kryeparlamentarit për lejimin e hapësirës së debatit, i paparë në historinë e Kuvendit të Kosovës, për një çast të vetëm u shpërfaq vetëm si një fasadë e jo si një produkt i një logjike demokratike. Mbase edhe nuk mund të ishte ndryshe. Thënë figurativisht, kryeparlamentari, Kadri Veseli, nuk arriti t’i fsheh dhomat e shtëpisë ku banon ai. I zënë ngushtë nga ataku i ashpër që deputeti Fisnik Ismaili i bëri pushtetit të gënjeshtrës, kryeparlamentari nga shtëpia e tij nxori ironinë si mjet mbrojtës dhe Ismailin e cilësoi si Skënderbeg! Këtë gjë e përsëriti disa herë. Mbase beteja në Kuvend nisi pikërisht këtu, ku duhej të përballej e vërteta me gënjeshtrën. Ismaili tashmë i njohur për fjalorin e tij hazard e tha të vërtetën lakuriq. «Jeni ju komandantët këtu që e keni fëlliqur luftën e UÇK-së», tha nga foltorja Ismaili, i përshkruar si Skënderbeu i seancës së Speciales. Dhe kjo gjë, të cilën e tha Ismaili, vërtet është aksiomatike. Kjo gjë, përkatësisht e vërteta është armiku më i madh i kësaj klase politike që ndaj vendit sillet si kolonizator e jo si çlirues a njerëz të përgjegjshëm që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve për të ndërtuar një shtet të ri, ku banorët do të ndjeheshin të lirë. E banorët e këtij shteti nuk janë të lirë dhe nuk mund të jenë, ndërsa në këtë vend nuk ka barabarësi në drejtësi. Nuk ka pushtet të së vërtetës. Nuk mund të jenë të lirë banorët e një vendi ku drejtësia funksionon në dëm të tyre për ta arsyetuar ekzistencën e vet, ndërsa i gjithë kuptimi i saj është mbështetur në mbrojtjen e bandave kriminale dhe hajnave ordinerë që nuk kanë lënë gjë të keqe pa bërë në këtë vend dhe mbi këtë popull. Sa për ironi, Pallati i Drejtësisë, po gjatë kohës së seancës së Speciales ishte vërshuar nga uji, madje jo nga toka, por nga pullazi!

Qytetarët e Kosovës, të dëshpëruar me punën dhe angazhimin e UNMIK-ut dikur dhe të EULEX-it tash, nuk kanë iluzione se mund të bëhet diçka shumë e dukshme për udhën e të nesërmes së tyre, por së paku mund të ndjehen të lehtësuar se beteja për të vërtetën, e nisur në seancën për Specialen, do të mund të marrë krah pikërisht nga tash. Mbase shfaqja e Skënderbeut në Kuvend nuk do të mbetet vetëm metaforë.