Skënderbeu




Kalon Ai mes shesheve të mbushun me të ramë
Perëndimi dergjet majë ledheve.
Gjysmëhana e përgjakun i bie ndër kambë
Mbramja e vjeshtës derdh arin e gjetheve.

Radhë-radhë vijnë arbërit pas Tij, porsi reja
Në muzgun e fushave kaluer:
Jehojnë trokëllimat, dridhet Edreneja
Murati shkul mjekrën me duer.

Dhe ecën ngadalë Ai mes fshatrave arbëreshe,
N`errsinë dejepet trokëllijnë:
-Fli, bir i nanës se vjen Gjergji
Ty gjumin ta ruen, o bir!

Era e Alpeve bie lehtë si baladë
Çfarë thotë era e Alpeve vallë?
…Se vjen Ballabani diku nëpër natë,
Turqve u prin në ballë.

Kushtrimet u zgjuen në pyjet pleq
Rrëzohen yjëzit mbi hekurin e armëve.
Fluturon si era çeta luftëtare
Pas kodrave të mbjella me eshtnat e të ramëve.

Dhe ikin para Tij hordhitë anmike
Gjysmëhana e përgjakun i bie ndër kambë.
Trokëllimat e kuajve rendin nëpër vite,
Lavdia rend nëpër kangë.