Skënderaj vendos për dhënie pronash me koncesion

Kuvendi Komunal i Skënderajt ka vendosur, të martën, në seancën e rregullt, që të jepen prona me koncesion në territorin e komunës.




Fadil Nura, nënkryetar i KK të Skënderajt, ka thënë se dhënia e këtyre pronave me koncesion, ndërrimi i pronave komunale me ato private, por edhe dhënia me qira e disa objekteve në pronësi të Komunës, janë plotësisht në interes të Komunës dhe në përputhje me ligjin, shkruan sot «Koha Ditore».

Nura ka propozuar që të bëhet ndërrimi i pronës komunale me një pronë private prej një arësh, që ka të bëjë me zbatimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit Klina, dhënien në shfrytëzim personave fizikë të 5 lokaleve afariste nën tribuna të stadiumit të futbollit «Bajram Aliu», lëshimin me qira prej më shumë se 200 metrash katrorë, ku gjendet Reparti i tashëm i Pediatrisë dhe ai i Stomatologjisë, pasi të kalohet në objektin e ri të QKMF-së, si dhe dhënien me koncesion për 99 vjet të 71 arësh për ndërtim të objekteve afariste-banesore,të parapara edhe me Planin rregullues e urbanistik të Skënderajt.

Për këtë ka thënë se kanë konkurruar dy kompani, që, sipas ankandit, i kanë plotësuar kushtet: «Lirigzoni» me ofertë më të mirë me 22 për qind dhe kompania me ofertën me të ulët 21 për qind. Mirëpo kompania «Lirigzoni» në çastin e fundit është tërhequr nga ankandi, me arsyetimin se investimi në këtë koncesion është shumë i madh dhe ajo nuk ka mundësi ta përballojë koston.

Pas disa debateve nga këshilltarët, veçmas rreth koncesionimit për ndërtime të larta, disa nga ta, kryesisht të opozitës,Qazim Xani e Cenë Behrami, por edhe të pozitës, e kanë kundërshtuar këtë me arsyetimin se koncesionimi prej 21 për qind është i vogël.

Pos kësaj kanë shprehur edhe dyshime për tërheqjen e kompanisë «Lirigzoni»,që ishte shpallur fituese nga komisioni, duke i krijuar mundësinë kompanisë tjetër me ofertë më të lirë «Al-Trade» nga Prishtina, të përzgjidhej fituese e këtij koncesioni. Këshilltarët me shumicë votash votuan që fituese të jetë kompania «Al-Trade».