S’ka rrymë në Zürich!

Mbi rrethanat kosovare në lagjet e qytetit zviceran.

Pamje nga Zürichu i errësuar dhe ndriçuar. Foto: Shutterstock

Diçka duket e pazakonshme këtë mëngjes. Semaforët në lagjen Aussersihl të Zürichut nuk punojnë dhe secili shofer duhet të kujdeset të mos mbetet i bllokuar në komunikacion. Këmbësorët shikojnë të hutuar herë andej, herë këndej, në semaforë kërkojnë shenjën e gjelbër që lejon kalimin e vijave të zebrës.

Shpejt merret vesh arsyeja e hutisë mëngjesore. Sot s’punon as makina e kafesë në restorantin e gazetës. «Nuk kemi rrymë», thotë një punëtore. Diçka e pazakonshme në Zürich, ku gjithçka funksionon. Befas qyteti përjeton disa momente kosovare: errësirë, huti, rrudhje supesh. Aty-këtu bëjnë dritë disa llamba emergjente. Çfarë mungon është zhurma e gjeneratorëve. Në kulme ndërtesash pas pak minutash shihen punëtorë të EWZ, si të thuash KEK-ut të Zürichut. Policia njofton se ka dalë menjëherë në udhëkryqe për të drejtuar komunikacionin dhe asnjë aksident nuk ka ndodhur. Meqë në pushinën e qytetit s’mund të përpunohej uji pa rrymë, të gjithë notuesit u urdhëruan të braktisin pishinën. Ndërkohë pishina është hapur dhe njerëzit po notojnë sërish.

Shikuar nga perspektiva kosovare ndalja e rrymës në Zürich ka diçka atraktive! Hajde t’i shohim zviceranët se si po organizohen! Hajde të shohim se si po sillen njerëzit e pamësuar me këso goditjesh të rënda kundër civilizimit, siç është ndërprerja e rrymës! Hajde të shohim se si po rrëshqet nga binarët rutina e përditshme! Hajde të shohim ç’talent kanë zviceranët për të improvizuar!

Megjithatë, këto pritje qenë të kota, sepse shumë shpejt rryma u rregullua, erdhi… Një grafikë online tregon se në 10 vitet e fundit në Zürich rryma është ndalur në 8 vende. Ky është një dallim tepër i madh me Kosovën, ku pas luftës rryma ndalej në çdo 8 minuta (së paku kështu përjetohej ndalja), pastaj në çdo 18 minuta, pastaj regjimi tre me tre, dy me tre, një me një, dhjetë me zero, pastaj gjithë ato mallkime që ia kanë bërë KEK-ut, faturave të fryra, kushërinjve të pushtetarëve që kontrollonin tenderët, shkoni të gjithë në dreq të mallkuar… Në Kosovë gati dy milionë njerëz janë rritur në rrethana të emergjencës energjetike. Janë rritur kryesisht në terr.

EWZ, domethënë KEK-u i Zürichut, përmes profilit në Twitter njofton për trafo që kanë «dhënë shpirt» për shkak të mbingarkesës, për transformatorë të prishur, për ekipet që po kërkojnë edhe arsye të tjera të ndërprerjes së rrymës. Duket se si në analizat e Rrahman Morinës për gjendjen në Kosovë («Këtu ka hy një dreq i madh») – edhe në rrjetin energjetik të Zürichut të hënën ka hyrë një dreq i madh. Sapo u rregullua rryma në një lagje, pasoi lajmi tjetër ogurzi: nuk ka rrymë në lagjet 4, 5 dhe 10. Por ka shpresë. Vitin e kaluar një zëdhënës i EWZ, pra KEK-ut të Zürichut, tha se ndërmarrja u jep garanci konsumatorëve prej 99,9 për qind për furnizim me rrymë. 99,9 për qind!