S’ka më «zajebanci»!

Si mbeti pa vend pune Boris Dezhulloviqi, më i miri kolumnist jo vetëm i Kroacisë? Përse e largoi atë nga puna gazeta dikur e famshme «Oslobogjenje» e Sarajevës? Dhe përse me miletin mund të tallet Bakir Izetbegoviqi bashkë me sulltanin nga Stambolli, ndërsa Boris Dezhulloviqi nuk guxon të tallet me budallallëqet e politikanëve? Një leksion nga Bosnja mbi kohërat e errëta ballkanike.



Kolumnistët, kur shkruajnë mirë, dhe bën vaki që nganjëherë ose shpesh shkruajnë mirë, atëherë mund të të bëhen si anëtarë të familjes. Lexuesi komunikon çdo javë me një apo disa koluminstë, i pret ata se çfarë kanë shkruar e menduar, cilin fenomen negativ të politikës e kanë kritikuar dhe cilat skandale korrupsioni i kanë denoncuar.

Boris Dezhulloviqi shkruan mirë. Jashtëzakonisht mirë. Ai është kolumnist, shkrimtar, publicist, ai ka një talent të pashoq për humor, edhe humor të zi, ai i njeh mirë mentalitet e popujve të Ballkanit. Dhe nuk ngurron të tallet me çdo marrëzi që pllakos shoqëritë nga Sllovenia në Maqedoni, por më së shumti Dezhulloviq shkruan për zhvillimet politike, shoqërore e kulturore në Bosnjë, Kroaci e Serbi – tri vende që nuk i lidhë vetëm gjuha e përbashkët apo pothuaj e përbashkët.

Në shtatë vitet e fundit Boris Dezhulloviqi ka shkruar për gazetën boshnjake «Oslobogjenje». Pak histori: «Oslobogjenje» është gazeta me traditën më të famshme në Bosnjë. Gjatë agresionit serb kundër Sarajevës kjo gazetë ka qenë zëri i Bosnjës liberale, tolerante dhe multietnike. Lista e çmimeve që ka marrë «Oslobogjenje» është e gjatë, mes tjerash është shpërblyer me çmimin Saharov (si Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçi), është shpallur gazeta e vitit e botës, ka marrë mirënjohje ndërkombëtare për lirinë e shtypit dhe shumë çmime të tjera.

Kur Boris Dezhulloviqi, kolumnisti më i mirë jo vetëm në Kroaci, u angazhua të shkruajë kolumne për gazetën e Sarajevës, kjo ishte edhe një shenjë se në Bosnjë ende ekziston tradita e mbrojtjes së multietnicitetit dhe tolerancës, kundër nacionalizmit, racizmit dhe izmave të tjerë të rrezikshëm. Kolumnet e tij Dezhulloviqi i fillonte me Kozhon, një personazh fiktiv që u bë i famshëm kudo në Ballkan. Ja një shembull: «Njëherë më telefonoi Kozho në dy pas mesnatës për të më treguar një anekdotë. E ka ai këtë tabiat, të thërret në pikë të natës nga kafeneja që të të tregojë një barsoletë apo ndonjë anekdotë.

Nejse, djali i njërit prej shokëve tanë të Sarajevës u kthye nga shkolla i vdekur për bukë dhe gjatë drekës befas pyeti prindërit: ‘Kush jemi ne?’. ‘Kush janë ata ‘ne’’?, pyeti babai i shqetësuar. ‘Ne, familja jonë’, u përgjigj djali duke përtypur pandërprerë kllepe (gjellë tradicionale boshnjake, v.j.). ‘Ti, nënë, unë, çka jemi ne?’. ‘Nuk po të kuptoj, si po mendon, biri im i dashur?’, e pyeti pastaj nëna, ndërsa vogëlushi sqaroi: ‘A jemi ne boshnjakë apo kroatë apo hebrenj… çka jemi?’. ‘Ne, bir, jemi serbë’, u përgjigj babai, ndërsa djaloshi kapi kokën: ‘Kuku, vetëm atë jo’».

Duke u nisur nga ngjarjet absurde të përditshmërisë Dezhulloviq shpjegonte, përshkruante, analizonte dhe kritikonte zhvillimet në Bosnjë dhe më gjerë. Këtë punë të mirë dhe aq të nevojshme për shoqërinë e Bosnjës Dezhulloviq nuk do ta bëjë më, së paku jo për gazetën «Oslobogjenje». Së fundi ajo refuzoi të botojë kolumnen e rregullt të Dezhulloviqit me arsyetimin se lëndonte ndjenjat fetare të besimtarëve. Në atë kolumne Dezhulloviqi kishte kritikuar vizitën e kryetarit turk Rexhep Taip Erdoan në Sarajevë dhe fjalimin servil të Bakir Izetbegoviqit, liderit të myslimanëve (boshnjakëve). Izetbegoviqi e kishte quajtur Erdoanin të dërguar të Perëndisë, demek pejgamber, demek mbinjeri që në tokë shpreh vullnetin hyjnor, demek zëri i Allahut në këtë dynja. Kur Izetbegoviqi tallet me opinionin duke bërë këso krahasimesh sa për t’ia bërë qejfin Erdoanit, përse, mendoi Dezhulloviqi, të mos tallem edhe unë pak me këta dy tipa. Shkroi kolumnen, e dërgoi dhe mori përgjigje se ajo nuk do të botohej, sepse, Allah, Allah, Boris Dezhulloviqi paskësh lënduar ndjenjat e besimtarëve, madje në ramazan, në muajin e shenjtë, në muajin e paqes, durimit, urisë e përkushtimit ndaj zotit dhe profetëve të tij, në mesin e të cilëve, sipas Izetbegoviqit, tash hyn edhe Erdoani, menjëherë pas Muhamedit, por me gjasë para hazreti Ibrahimit (Abrahamit), hazreti Isës (Juzusit) dhe aradhes së pejgamberëve të tjerë, shumicën e të cilëve i nderojnë si myslimanët, ashtu edhe të krishterët.

Në kolumnen e tij me titull «Nema više zajebancije» (kosovarçe: S’ka më «zajebanci»!, në shqipen standarde: S’ka më shakara – apo ashtu disi…), Dezhulloviqi shkruan se gjatë karrierës së tij një redaksi e ka censuruar për shkak se ka lënduar ndjenjat e anëtarëve të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, një tjetër e censuroi për shkak se kishte lënduar ndjenjat e veteranëve të luftës në Kroaci, një tjetër për shkak se kishte lënduar ndjenjat e «qelbësirave ustashe», redaksia e katërt e kishte censuruar për shkak se kishte lënduar ndjenjat e një biznesmeni të dyshimtë kroat me origjinë nga Hercegovina, një redaksi e kishte censuruar për shkak se kishte lënduar ndjenjat e Millorad Dodikut, liderit nacionalist të serbëve të Bosnjës.

Pjesa e fundit e kolumnes së Boris Dezhulloviqit duhet të sillet në vijim e përkthyer, në mënyrë që edhe lexuesi shqiptar të lexojë e dëgjojë tingullin, kumbimin e papërsëritshëm të këtij kolumnisti: «Pra, ka tepër redaksi të ndryshme, por përherë ekziston i njëjti problem – besimi im i patëkeq se në gazetari nuk duhet të merremi me emocionet private dhe kolektive, por me të vërtetën dhe me kritikën. Nëse do të kisha dashur të merrem me mbrojtjen e ndjenjave fragjile të ndokujt, unë do të isha psikiatër apo farmacist, diler sedativësh, ose, së paku, çka po di, avokat.

Por, gazetat nuk janë as psikiatri, as farmaci, as zyrë avokature. Ose së paku nuk janë gazetë ku unë do të doja të punoja.

T’i biem shkurt, kjo është paraqitja ime e fundit për Oslobogjenje. Kaluan shtatë vite, shtatë javë e shtatë ditë, vallahi boll. (…)». Dhe fjalia e fundit: «Jebali vas osjećaji». Nëse nuk e kuptoni gjuhën e Dezhulloviqit, pyetni dikë që kupton atë. «Jebali vas osjećaji» është sllogani më i mirë kundër poshtërsive politike në Ballkan!