S’ka gara evropiane sivjet për klubet kosovare

Nuk do të ketë gara evropiane për klubet e futbollit të Kosovës, edhe pse futbolli u pranua ndërkombëtarisht nga UEFA-ja.




Klubet e Kosovës, me gjithë bujën e madhe për debutim në garat e klubeve të UEFA-së, nuk do të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm.

Feronikeli si kampion i Kosovës, pritej të merrte pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa FC Prishtina që fundjavën e kaluar fitoi Kupën e Kosovës, ishte paraparë për garën e Ligës së Evropës.

Por të dy klubet kosovare, nuk kanë përmbushur kriteret e UEFA-së, dhe kanë marrë lajmin nga auditorët e UEFA-së, që ditë më parë ishin prezent dhe kanë kontrolluar deri në detaje kushtet e klubeve të Kosovës.

Dy arsyet kryesore për mospjesëmarrjen në garat e UEFA-së, janë kriteri i infrastrukturës dhe ai financiar.

Kryetari i Feronikelit, Ekrem Elshani e ka konfirmuar për Kohavisionin, se kanë marrë edhe e-mail por edhe janë telefonuar nga auditorët e UEFA-së, që nuk i kanë plotësuar kushtet.

«UEFA-ja gjatë ditës na ka komunikuar lajmin se nuk do të marrim pjesë në garat e UEFA-së, pasi nuk i plotësojmë dy kritere, atë financiar dhe atë të infrastrukturës. Kriteri i infrastrukturës nuk është faji jonë, është faji i shtetit që nuk ka investuar sa duhet në stadiumin e Mitrovicës. Për atë financiar, ne e kishim të përmbushur rreth 90 %, por ishte kohë e shkurtër, për ta plotësuar tërësisht», ka thënë Elshani për KTV-në.

E konfirmimin se nuk do të luajnë në Evropë, e ka marrë edhe drejtori i FC Prishtinës, Sokol Krasniqi.

Për Kohavisionin, Krasniqi ka thënë se edhe Prishtina nuk ka plotësuar dy kriteret.

«UEFA-ja përmes një telefonate na ka njoftuar se nuk do të luajmë në këtë edicion pasi mungojnë dy kriteret kryesore, financiare dhe ai infrastrukturës. Në kriterin financiar, i kam kundërshtuar pasi ne e plotësojmë tërësisht këtë kriter, por ata kanë menduar ndryshe», ka thënë Krasniqi.

Megjithatë të dy klubeve u është premtuar ndihma financiare, që klubet do të marrin pas arritjeve në kampionatin e Kosovës.
Feronikeli si kampion do të marrë 250 mijë euro, ndërsa Prishtina 200 mijë.