Sjelljet kriminale të gardianëve të cilësisë së arsimit të lartë   




Naim Braha është ankuar se i dhemb dhëmbi sa herë që e sheh një çek banke që peshon dhjetë mijë euro. Dhimbjen nuk ia shkakton vlera, por destinimi i parave. Ato thotë se ia ka dhënë ryshfet Basri Mujës në këmbim të akreditimit të institucionit të tij arsimor.

 

Ankesat për dhimbje dhëmbi ia ka treguar Avni Mazrekut më 7 nëntor 2013, në kafenenë «Lips» në Prishtinë. Biseda e tyre është e incizuar me video nga Policia e Kosovës që po kryente hetime me anë të përgjimit e vëzhgimit kundër Ferdije Zhushi-Etemit, Basri Mujës e Armend Mujës, shkruan sot «Koha Ditore».

Gjatë kësaj bisede të incizuar nga Policia, Braha, që akuzohet për dhënie të ryshfetit për akreditimin e dy programeve të kolegjit «Vizioni për Arsim» në Ferizaj, ia shpjegon Avni Mazrekut, pronar i kolegjit ISPE, se ryshfetin prej 10 mijë eurosh ia ka dhënë Basri Mujës, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nëpërmjet Ramadan Idrizit, i njohur si «doktori». Gjatë bisedës Mazreku e pyet Brahën me habi se a i ka dhënë dhjetë mijë euro.