Sipas delegacionit të Kosovës, edhe njëherë arrihet marrëveshja për njohjen e diplomave

Për dy ditë në Bruksel kanë diskutuar delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë rreth pengesave në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.




Nga BE-ja rreth këtyre takimeve në nivelin teknik nuk janë dhënë shumë njoftime, pos që është thënë se «të dyja palët duhet të bëjnë më shumë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash» dhe është konfirmuar se në rend dite kanë qenë njohja e diplomave të lëshuara në territorin e Kosovës, si dhe liria e lëvizjes që përfshin edhe çështjen e njohjes së targave të automjeteve, shkruan sot «Koha Ditore».

Sikur edhe më parë, edhe pas këtyre takimeve, përshtypja e pjesëmarrësve ishte e ndryshme. Përderisa në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës është njoftuar se «është arritur marrëveshja për njohjen e reciproke të diplomave mes dy shteteve», shefi i delegacionit të Serbisë, Gjuriq, ka folur për domosdoshmërinë që Kosova më 25 nëntor të miratojë statutin, siç thotë ai, e «Bashkësisë së Komunave Serbe».

Marrëveshja për njohjen e diplomave ishte ndër marrëveshjet e para të arritura në dialog para pothuajse katër vjetësh. Prandaj tash duket disi e pakuptimtë se si mund të arrihet dy herë marrëveshja për të njëjtën gjë. Por në këtë dialog tashmë është bërë pothuajse rregull që sa herë të arrihet ndonjë marrëveshje të zhvillohen negociata të gjata rreth zbatimit të saj.