Sipas Degës së LDK-së, Komuna e Prizrenit hap konkurs për militantët e PDK-së

Komuna e Prizrenit, nuk hap konkurs për ekspertë të nevojshëm, por punëson militantë të PDK-së, thuhet në një reagim të Degës së LDK-së në Prizren.

Fjalët dhe deklaratat e zyrtarëve komunalë, por sidomos të zëdhënësit të Komunës, se komuna e Prizrenit punëson profesionistë dhe ekspertë të lëmenjve të nevojshme, siç thuhet në reagim, janë trillime dhe të pabaza, se vërtet Komuna nuk është e interesuar për profesionistë të lëmenjve të ndryshme tregon edhe konkursi i datës 20.04.2016, ku Komuna e Prizrenit ka lënë anash vërtet njerëz meritorë, profesionistë dhe të ndershëm, duke marrë në ato pozita militantët e PDK-së, transmeton Koha.net.

Komuna e Prizrenit duke parë se për këto konkurse kanë aplikuar njerëz me përgatitje shkollore vërtet të larta, dhe nga rreziku serioz se militantët e saj do të mbesin pa u punësuar, ata zgjodhën formën e seleksionimit duke i filtruar kandidatët në disa faza, ku ajo e fundit është edhe faza e testit me shkrim, e cila iu jep mundësinë që kandidatëve të saj t’iu japin pikë më shumë, meqë me përgatitje shkollore ishin më të dobët.

Dega e LDK-së thotë se «kemi rastin e ekspertit të sistemit të adresave, i cili ka katër vite që jep kontributin e tij në Komunë dhe ende nuk e ka vendimin e punës, këtij nuk i hapet konkursi i punës vetëm pse është anëtar i LDK-së. Madje është i vetmi rast që nga paslufta, ku pozita edhe opozita unanimisht, në asamblenë Komunale të Prizrenit, kërkojnë nga kryetari, kryesuesi dhe drejtori përkatës, që personit në fjalë t’i zgjidhet çështja e statusit të punës. Po ashtu dihet qe ekspertit të sistemit të adresave, jo vetëm që është duke dhënë kontribut në Komunë që 3 muaj pa kontratë pune, por edhe nga kontrata e vjetër Komuna i ka mbetur 2 paga borxh. Kjo bën të dyshosh se edhe arsyeja për moshapjen e konkursit për punëtorin e adresave, është se komuna ende nuk e ka gjetur njeriun e tyre për këtë pozitë.

Ne si LDK, nuk do të rrimë të heshtur dhe gjithmonë do të ngremë zërin për të mbrojtur kualitetin, profesionalizmin dhe ndershmërinë. Kandidatëve të cilëve i’u është bërë e pa drejtë, LDK iu rekomandon të ndjekin rrugën ligjore dhe të kërkojnë drejtësi», përfundon reagimi.