Sindikata e Punëtorëve i thotë Mustafës të mos merret me RTK-në

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, përmes një kumtese, konsideron se nuk është praktikë e mirë që kryeministri i vendit të merret drejtpërdrejt me transmetuesin publik, sidomos në një vend si Kosova që pretendon të jetë vend demokratik.




“Kryeministrat e vendeve demokratike ku e respektojnë lirinë e medieve, nuk u përzihen në veprimtarinë e tyre transmetuesve publikë, siç e bëri kryeministri Mustafa, në reagimin e mbrëmshëm. Gjithashtu na vjen shumë keq nga disa kolegë tanë që thirren si sindikalistë, vazhdimisht kërkojnë nga politika ndihmë për ta ‘shpëtuar’ RTK-në, e që pikërisht presioni politik e ka sjellë RTK-në në këtë situatë”, thuhet në këtë komunikatë. “I nderuari kryeministër Mustafa, depolitizimi i RTK-së do të bëhej kur ju dhe Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria, do ta zgjidhni financimin e pavarur të RTK-së, ta miratoni ligjin për RTK-në, dhe ta siguroni pronën e përhershme të mediumit të vetëm publik në Kosovë (RTK)”, thuhet më tej aty.

Sipas komunikatës, pa plotësimin e këtyre tri kushteve, lëre që nuk mund të depolitizohet por edhe vihet në pikëpyetje funksionimi i RTK-së.
“Nëse vërtet Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi si themelues i RTK-së, janë të përkushtuar ta ndihmojnë mbikëqyrjen dhe funksionimin e tij, atëherë këto tri çështje duhet t’i zgjidhni shumë shpejt”.

Kjo Sindikatë, përmes komunikatës i ka kujtuar kryeministrit dhe deputetëve se studiot e RTK-së, në mungesë të zgjidhjes së pronës, janë të vendosura në garazhe.
“Kërkojmë nga ju urgjentisht që të ndërmerrni masa në këtë drejtim pa u vonuar më tutje. Vetëm në këtë formë do të depolitizohet RTK-ja dhe do të mbijetojë nga presionet e vazhdueshme që vijnë nga politika, dhe grupet e interesit, si brenda ashtu edhe jashtë”.

“I nderuar z. kryeministër Mustafa, të nderuar deputetë, nëse këto tri kërkesa tona që ua shtruam nuk plotësohen, atëherë ne do të detyrohemi të përdorim forma të tjera demokratike pa përjashtuar protestat. SPERTK konsideron se ka ardhur koha e fundit kur duhet të zgjidhet mënyra e financimit të pavarur, miratimi i ligjit për RTK-në, dhe zgjidhja e çështjes së pronës. SPERTK shpreson se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria do t’i lënë deklaratat mënjanë, dhe t’i plotësojnë kërkesat e RTK-së të cilat janë parashtruar tani e 15 vjet, por deri tani nuk ka pasur vullnet të zgjidhen përveç presioneve dhe sulmeve drejt RTK-së. SPERTK kërkon nga Bordi i RTK-së dhe menaxhmenti që t’i prezantojnë alternativat e tyre në Kuvend për zgjidhjen sa më parë të këtyre problemeve”, thuhet në fund të komunikatës.