Sindikata alarmon kundër gradimeve në ministrinë e Jashtme të Kosovës

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm akuzon krerët e këtij instuticioni për shkelje të qëllimshme dhe keqinterpretim të normave juridike.

Ilustrimi: Shutterstock



Diplomatët e Kosovës të organizuar në sindikatën e tyre brennda ministrisë së Jashtme kanë protestuar kundër zhvillimeve të fundit në resorin e tyre. Në një komunikatë Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm alarmon opinionin mbi shkallën e dezintegrimit juridik dhe mosrespektimin e ligjit në procesin e vendimmarrjes për gradimet brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Kjo sindikatë thekson se ka analizuar se shkelja e qëllimshme dhe keqinterpretimi i normave juridike të legjislacionit të Kosovës po vijon edhe këto ditë me vendimmarrje nëpër një proces kundërligjor, sekret dhe selektiv, duke shkelur parimin ligjor të barazisë së qytetarëve para ligjit, duke mohuar në njërën anë dhe privilegjuar një grup zyrtarësh në anën tjetër.

«Procesi i dhënies së gradave, i promovimit në grada më të larta, ka rezultuar me vendime juridikisht të paarsyetuara, diskriminuese, selektive dhe ka përdhosur edhe më tutje gjendjen në MPJ», nënvizohet në komunikatë.

Menaxhmenti më i lartë i MPJ duke mos respektuar parimet bazë të sistemit juridik të Republikës së Kosovës po vazhdon të shkaktoje përkeqësimin edhe të marrëdhënieve bilaterale me shtetet partnere dhe po ndikon në imazhin e Kosovës në botë.
«Respekti fillon nga vetvetja, nga respektimi i legjislacionit nacional, i konventave, traktateve dhe të drejtës zakonore ndërkombëtare», shkruajnë diplomatët e organizuar në sindikatë.

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm apelon te kjo qeveri në detyrë dhe te çdo qeveri e ardhshme që sundimi i rendit ligjor është parakusht për çfarëdo integrimi euro-atlantik të Republikës së Kosovës, prandaj edhe çdo qeveri e ardhshme duhet të konsultohet dhe të ketë parasysh këshillat dhe informacionin e diplomacisë së Kosovës.
Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm thekson se do të mbështesë cilindo proces ndërtues të infrastrukturës shtetërore, por do të kallëzojë secilin veprim kundërligjor, të mbështetur vetëm në urdhërat politike dhe të kryer mbi baza afërsie familjare, klienteliste, partiake duke i neglizhuar kriteret profesionale.

Ndonëse nuk përmenden me emër akuzat drejtohen në radhë të parë kundër ushtruesit të detyrës së ministrit Emanuel Demaj dhe paraardhësit të tij në post, Enver Hoxhaj, i cili nga shumë burime brenda ministrisë fajësohet për punësime sipas agjendës klienteliste dhe nepotiste dhe për degradim masiv të këtij institucioni. (dp)