Simboli i Cakollëve të Krilevës

Në moshën që ka, më shumë vjet i ka kaluar në Prishtinë sesa në Krilevë. Por malli e nostalgjia janë atje, në fshat.

Ruzhdi Cakolli tash është 58- vjeçar, e kur i ka qenë 23 vjeç, e ka lënë shtëpinë në fshatin e Komunës së Kamenicës, shkruan sot «Koha Ditore». Prej vitit 1983 shtëpia monumentale, që thuhet se u ndërtua në shekullin XIX, është e braktisur.

Vetmisë ia kishte ndihmuar edhe koha, e bashkë kishin bërë që shtëpia të dëmtohej goxha. Shtëpia është e ndërtuar në pjesën e rrafshët të një kodre jo aq të ulët, e që për trevën e Gallapit është natyrale.

Cakolli thotë se ajo ka qenë simboli i lagjes, pika dalluese për fshatin. Me nostalgji tregon lojën që bënin si fëmijë në rrafshinën e vogël, tregon për dasmat e ahengjet e gjithë lagjes që kryheshin në «pallatin e bukur», e flet edhe për veprimtarinë e ilegalitetit politik në moshën e tij studentore.

Muret që ruajnë histori

Mes gjelbërimit që kishte pushtuar gjithë hapësirën, shtëpia që si trashëgimi tash i takon Ruzhdiut, bie fare lehtë në sy. Gurët e mëdhenj, të renditur bukur, me forma natyrale janë hijeshia e përdheses.

Me mund ata u nxorën nëpër disa vende në fshat. Kështu ia kanë treguar këtë rrëfim Ruzhdiut të parët e tij.