Sihariqi i heshtur



Në pamje të parë duket e thjeshtë. Në pamje të parë…

Ka vetëm pak javë që në Zvicër kanë filluar procedurat për ligjin që në thelb e ka komunikimin e gjinisë së fëmijës gjatë shtatzënisë. Prindërit nuk duhet ta mësojnë atë në tremujorin e parë. Shkaku, sepse ata nganjëherë nuk janë të lumtur me gjininë dhe vendosin për abort vetëm për këtë arsye. Si për ters, në Zvicër gjithnjë gjendet një shqiptar për t’i ilustruar lajmet e zymta. Një çift paskësh ikur në Kosovë për ta kryer abortin kur ka mësuar se fëmija që presin nuk e ka gjininë që dëshirojnë.

Në fakt, preferenca për një gjini nuk është e panjohur te shqiptarët. Përgjërimi për këto dëshira i ka dhuruar opinionit situata nga komiket deri te tragjiket. Ky fiksim i mendësisë së shqiptarëve ka hyrë edhe në analet e letërsisë. Trajtimi më reprezentativ është ndoshta ai personazhi te «Vdekja më vjen prej syve të tillë» i Rexhep Qosjes. Syzheu pak a shumë është ky: Një i burgosur shqiptar refuzon të përgjigjet serbisht në hetuesi. Në vorbullën e përpjekjeve për ta detyruar atë që t’u bindet rregullave të inspektorëve, njëri prej tyre ia ngjesh atij një shuplakë. Kjo e prish gjithçka: burri refuzon të përgjigjet fare. Ai nuk flet më as shqip me ata. Për orë të tëra përpiqen inspektorët ta detyrojnë të flasë, por nuk ka torturë që e thyen heshtjen e tij. Derisa njërit i kujtohet ai marifeti me gjenitalet… Atëherë i burgosuri lajmërohet nga agonia: «Vetëm këtë mosni. Kam tri vajza dhe dua një djalë». Përfundimi alegorik i autorit, i cili është i lumtur me dy vajza: Shqiptari jeton pa gjithçka – pa duar e pa këmbë – nuk bën vetëm pa atë sendin dhe pa djem.

Pak a shumë, kështu e shpjegojnë reproduksionin dhe teori të antropologjisë sociale. Familja dhe fëmijët, në radhë të parë, e përmbushin funksionin vital të sigurisë. Te shqiptarët është djali ai i cili do të kujdeset për tokën dhe, fundja, edhe për motrat. Kujto legjendën e Gjergj Elez Alisë. Ai është trashëgimtari i pronave dhe bartësi i amanetit për Kosovën Republikë, pavarësinë, bashkimin kombëtar… Varësisht nga idealet individuale dhe kolektive. Gjithsesi që sa më të mëdha idealet, aq më i madh edhe zhgënjimi nëse natyra refuzon t’u përgjigjet saktësisht dëshirave të tij. Kjo në njëfarë mënyre nuk lidhet vetëm me integritetin, por edhe me dinjitetin dhe prestigjin social të shqiptarit. Ky vendim i natyrës e ndrydh personalitetin e tij. Sepse, më pak djem do të thotë më pak pasuri, më larg oxhakut në odat e burrave, më i shkurtër çibuku, më të vogla mustaqet, më i thellë zëri… Kjo është trashëgimia e mendësisë shqiptare, e cila nuk është amortizuar me transformimet shoqërore. Mbase sepse ato nuk kanë ndodhur vërtet. Mentaliteti do të ndryshojë ndoshta më shumë kur sistemi t’i marrë përgjegjësitë që tradicionalisht i mbulon familja. Si për shembull, siguria.

Për ngushëllimin e opinionit mendjehapur: Asnjë sistem nuk arrin të prodhojë njerëz absolutisht të lumtur. As ai zviceran. Ligji për komunikimin e gjinisë së fëmijës nuk po vendoset vetëm për shqiptarët. Duhet të ketë edhe viktima të tjera të paragjykimeve. Kurse pengjet e mentalitetit të fiksimit pas djemve apo, teoritikisht, edhe pas vajzave, nuk i ngushëllon asgjë. Mbase as përmbushja e kësaj ngulitjeje. As fakti që në botë ka njerëz të cilët nuk mund të lindin fëmijë fare. Prandaj, ata shpeshherë nuk arrijnë të zgjojnë as keqardhjen e njerëzve. Ajo u është rezervuar atyre që nuk e kanë luksin të zgjedhin, të cilët enden gjinekolog më gjinekolog, urolog më urolog, hoxhë më hoxhë, Burdush më burdush për kauzën e tyre fisnike. Një burrë vakti i kishte dhënë djalit të tij një dajak të mirë, vetëm sepse kishte qenë i detyruar ta thërriste atë me zë të lartë në emër, me çka, sipas ndërgjegjes së tij, kishte zgjuar smirë te fqinji që nuk kishte fëmijë!

Si një sihariq tingëlloi raporti i medies kosovare para një jave: Një numër i madh çiftesh presin në radhë që të adoptojnë fëmijë pa prindër. Paksa atipike për mentalitetin shqiptar. Sepse, secili e dëshiron shëmbëlltyrën e tij në tokë. Mjerisht, lajmet e mira asnjëherë nuk vijnë vetëm. Fati i këtyre njerëzve nganjëherë lidhet me fatkeqësinë e fëmijëve që i kanë humbur prindërit. Në bilanc të përgjithshëm mbisundon mbarësia. Fakti që është më i madh numri i të interesuarve për të adoptuar fëmijë i tregon dy gjëra: e para, që ka pak fëmijë pa prindër dhe, e dyta, se njerëzit i kanë kapërcyer barrierat psikologjike duke e vendosur në fronin e përparësive lumturinë e tyre. Adoptimi është një gjest fisnik që meriton admirimin e komunitetit. Me këtë, çiftet nuk e plotësojnë vetëm mungesën e tyre të pafajshme, por e ndriçojnë edhe jetën e fëmijëve të pafat. Për gojëkëqijtë, le ta kujtojmë vetëm faktin që nga komuniteti i jetimoreve vijnë Ibrahim Kodra, Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Jorgo Papingji, Ema Qazimi e shumë emra të tjerë të spikatur të kulturës shqiptare.