Sigurimet Shoqërore – Dy pyetje

Çfarë kontributi kërkohet që të mund të tërhiqet Fondi i Sigurimit Pensional? Kur mund të përfitojë një person nga plotësimi i pensionit? Janë këto pyetje që i shqetësojnë shumë emigrantë.




Një përgjigje të shkurtër dhe të prerë për këto pyetje nuk ka. Këto gjëra nganjëherë ndryshojnë nga rasti në rast. Ato që dihen janë normat ligjore, të cilat vlejnë për të gjithë njëlloj.

Unë kam punuar tetë muaj në Zvicër. A kam të drejtë t’i tërheq kontributet e Sigurimit Pensional që i kam derdhur në fond, duke qenë se nuk më takon pensioni? Nëse është relevante kjo për shpjegim – meqë jam nga Maqedonia.

Fillimisht duhet bërë dallimi ndërmjet kontributeve të shtyllës së parë (AHV/AVS) dhe të atyre të shtyllës së dytë (Arka Pensionale). Sa i përket së parës, meqë ju jeni shtetas i Maqedonisë dhe e keni lëshuar përfundimisht Zvicrën, në rastin tuaj vlen Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Maqedonisë.

Sipas dispozitave të kësaj marrëveshjeje dhe ligjeve në fuqi, ju nuk e gëzoni të drejtën e tërheqjes së ndonjë fondi pensional apo pensioni nga Zvicra. Kontributet tuaja prej gjithsej tetë muajve nuk mjaftojnë për t’i plotësuar kushtet ligjore. Për këtë nevojiten së paku 12 muaj. Vetëm në rast se personi ka më shumë se 12 muaj kontribute të paguara mund ta gëzojë ndonjë pension nga Zvicra. Edhe si qytetar i Maqedonisë nuk keni të drejtë të bëni tërheqjen e kontributeve, e një mundësi e tillë nuk parashihet me marrëveshjen në fuqi ndërmjet Zvicrës dhe Maqedonisë.

Sa i përket shtyllës së dytë të sigurimeve shoqërore – Arka Pensionale, këtu mund t’i tërhiqni kontributet e akumuluara, nëse e lëshoni përfundimisht Zvicrën, sikur në rastin tuaj. A keni kontribute në këtë arkë, varet nga të ardhurat që keni pasur gjatë punës suaj në Zvicër. Këtë mund ta vërtetoni në bazë të llogarive të rrogave. Nëse nuk i keni ato, duhet t’i drejtoheni një personi kompetent për këtë gjë.

Nëna ime 76-vjeçare pas vdekjes së babait, që kishte punuar në Zvicër, e merr një pension prej 400 frangash zvicerane. Ajo jeton në Zvicër nga viti 1998. Konkretisht është në Zürich. Në vitin 1999, asaj i është dhënë leje qëndrimi «B» dhe që nga ajo kohë jeton pandërprerë këtu. A ka të drejtë nëna që të kërkojë plotësim pensioni (Ergänzungsleistung)?

Përfitime plotësuese (Ergänzungsleistungen/ prestations complémentaires) mund të merrni në këto raste:

  1. Nëse keni të drejtë për një pension të moshës (vlen edhe për ata që kanë dalë në pension të parakohshëm),
  2. Nëse keni të drejtë për një pension invalidor (IV/AI) dhe
  3. Nëse jeni shtetas zviceran, apo keni vendbanim të rregullt në Zvicër.

Personat e huaj duhet t’i plotësojnë edhe këto kushte shtesë:

  1. Të kenë minimum dhjetë vjet banim permanent në Zvicër (për refugjatët dhe ata pa shtetësi kërkohet një periudhë prej pesë vjetëve) dhe
  2. Të kenë të drejtë për një pension individual të moshës, apo invalidor në bazë të kontributeve që i kanë paguar personalisht.

Gjithë personat e tjerë dhe të huaj që nuk i plotësojnë kushtet e përmendura, në raste të caktuara e gëzojnë të drejtën të marrin përfitime suplementare, nëse i plotësojnë këto kushte:

  1. Kanë paguar minimum një vit kontribute në AHV/AVS (në Fondin e rregullt Pensional), apo tre vjet në IV/AI (në Fondin për Pensione Invalidore) dhe
  2. Vendi i origjinës së tyre ka një marrëveshje për sigurime shoqërore me Zvicrën, me të cilën parashihet një mundësi e tillë. Qytetarët e Kosovës e kanë pasur një mundësi të tillë deri në mars 2010. Ajo nuk është rinovuar ende.

Çështja juaj është komplekse; pa i ditur të gjitha detajet është vështirë të jepet një përgjigje konkrete. Nëse nuk është bërë ndonjë aplikim për këto përfitime deri tani, ju lutem që këtë ta bëni para entit përkatës të komunës ku banoni. Administrata është e obliguar t’ju argumentojë dhe arsyetojë ndonjë refuzim eventual të këtyre përfitimeve, vendim kundër të cilit mandej mund të ushtrohet ankesë.

Supozoj që zonja nuk ka mjaft kontribute të sajat personale. Nëse është nga Kosova, atëherë për shkak të anulimit të marrëveshjes për sigurime shoqërore, ajo nuk ka të drejtë për përfitime suplementare. Kjo është kështu thënë kushtimisht, derisa nuk i njoh detajet e rastit konkret.